Pastrohet dhe mbillen drunj në “Fushën e Pajtimit”, kërkohet të ndëshkohen ndotësit e ambientit

Organizata “Lets Do It Kosova” dhe Komuna e Prishtinës, së bashku me “Miqtë e Tokës” për nder të Ditës së Tokës organizuan aksion pastrimi dhe mbjelljen e drurëve në lagjen “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Lets Do It Kosova” Luan Hasanaj, tha se ajo çka po shihet në këtë lagje nuk po e tregon kujdesin për tokën, raporton Ekonomia Online.

“Sot është dita e tokës një ditë që festohet në tërë botën dhe mesazhi kryesor është të kujdesemi për të cilën ne jetojmë dhe kjo çka po e shohim këtu nuk po e tregon atë dhe shpresoj që vitin e ardhshëm kemi me ardhur me pi kafe këtu dhe për këtë kemi kërkuar siguri edhe prej banorëve edhe prej komunës të cilët janë akterë për tu kujdesur për këtë”.

“Krahas do ju bëja thirrje tërë atyre që po i krijojnë këto situata që të ndalojnë sepse po i bëjnë dëm imazhit të vendit dhe mbi të gjitha po i bëjnë dëm shëndetit tonë, nuk e di deri kur më kështu dhe është e pakuptueshme që një shoqëri e cila mbi 60 për qind të popullatës janë të rinj të jetojnë në një kohë të internetit duke parë tërë botën dhe ti krijojnë këto pamje si këto, mendoj që nuk na bën nderë asnjërit”.

Hasanaj u shpreh se policia dhe inspektorët duhet të marrin masa ndëshkuese ndaj atyre që e ndotin ambientin.

“Do iu bëja thirrje edhe policisë e inspektorëve që të jenë më aktiv dhe t’i gjobisin këta sepse nuk po ndalojnë vetë, ne nuk do donim askush të gjobitet por duke parë këtë papërgjegjësi këtë mungesë të vetëdijes mendoj që është mënyra e vetme që do funksionojë”.

Ndërsa shefja e UNDP-së Ulirika Richardson, tha se bota gëzon vetëm një tokë dhe nuk ka plan B për të.

Madje ajo bëri apel tek institucionet përgjegjësve që të ndërmarrin veprimet e duhura për mbrojtjen e tokës.

“Sot po festojmë ditën e tokës që është ditë e cila kremtohet në gjithë botën dhe cila është mënyra më e mirë që përmes këtij pastrimi të përbashkët të kremtojmë këtë ditë. Përveç pastrimit u cili po bëhet këtu sot me ndihmën e gjithë akterëve është më me rëndësi që të ruhet pastërtia jo vetëm të pastrohet.

I aplojmë të gjithë institucionet që janë përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e duhura e jo vetëm komuniteti të pastrojë këtu. Ka vetëm një tokë dhe nuk ka plan B dhe kemi vetëm një tokë dhe nuk ka tokë rezervë.”

Ndërsa Asmblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e PSD-së, Adrian Berisha, tha se deponia që u pastrua sot, është në plan programin e pastrimit të deponive të shumta që është duke i bërë Komuna.

“Është viti i dytë që e organizojmë këtë dhe është kënaqësi të bashkëpunojmë me Let’s Do It Kosova. I bëj thirrje që ta ruajmë planetin tonë pasi ne jemi vetëm një planet dhe është shumë rëndësishme ta ruajmë çdo ditë. Deponia që po pastrohet sot është në plan programin e pastrimit të deponive të shumta që është duke i bërë Komuna e Prishtinës. Ju lus ta ruajmë ambientin dhe të jemi miqtë të tokës.”

Shefqete Gosalci, qytetare, tha se problemi i grumbullimit të mbeturinave në lagjen “Fusha e Pajtimit” i ka përcjell ata qe 7 vjet me radhë, raporton EO.

“Ky është një problem permanent që na ka përcjellë qe shumë vite dhe këtu është pastruar vetëm njëherë. Gjithë ky sensibilizim që iu bë kësaj problematike e cila ka sjellë edhe probleme shëndetësore tek banorët i bëj apel institucionet përgjegjëse që të jenë përgjegjës ndaj shëndetit tonë fillimisht”.

I pranishëm në këtë organizim ishte edhe drejtori i “Pastrimit” Burim Kelmendi i cili i ofroi mbështetje aktiviteteve që bëhen në kuadër të pastrimit.