PDK shpreh keqardhje për aktivistët e shoqërisë civile pranë selisë së saj

Partia Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate për media sqaron për aksionin e disa aktivistëve të shoqërisë civile brenda oborrit të kësaj partie.

PDK shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.

Në komunikatë thuhet se pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile.

“Partia Demokratike e Kosovës dëshiron të theksoj së ky është një rast i izoluar dhe nuk përkon më frymën dhe vlerat e saj. Partia Demokratike të Kosovës beson dhe promovon të drejtën thelbësore të demokracisë, atë të protestës dhe reagimit qytetar”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi i ka takuar javën e kaluar përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për financimin e partive politike.

“Sigurisht që shqetësimet e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, nga ana e Kuvendit të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës sikur në të kaluarën, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe i sheh ato si partnere në rrugëtimin e përbashkët të shtetndërtimit”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.