Për rindërtimin e sheshit të Pejës sërish pësojnë drurët shumëvjeçarë

Drurët e vjetër mbi 70 vjet në sheshin e qytetit të Pejës janë prerë për realizmin e projektit për rindërtimin e sheshit. Të mërkurën buldozeri i punëkryerësit ka hequr edhe gjashtë drurë të tjerë për të liruar hapësirën për zhvillimin e punimeve dhe zbatimit të projektit.

Mirëpo, shkulja e drurëve të vjetër në shesh ka shkaktuar serish reagime të opozitës, ambientalistëve dhe shoqërisë civile, të cilët shkuljen e këtyre drurëve po e konsiderojnë si barbarizëm nga pushteti lokal

“Po vazhdon barbarizmi i pushtetit lokal në keqmenaxhimin e parasë publike, shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, e sidomos të asgjësimit të hapësirave gjelbëruese e të qindra drurëve në pjesët më qendrore të Pejës, në parkun e madh ‘Karagaqi’, në parkun ‘Ibrahim Rugova’, në parkun te ‘Vorret e gjata’, e te sheshi ‘Shkëlzen Haradinaj’ e tjerë. Nuk më befason mendësia e qeverisjes së këtij pushteti të mjerimit, që nuk di asgjë tjetër të punojë pos asfaltit e betonit”, sulmon qeverinë e Pejës kryetari i Alternativës në Pejë, Reshat Nurboja.

Kjo mënyrë e punës, që për të realizuar një projekt në dëm të drurëve shumëvjeçarë, siç thotë Nurboja, është krim institucional ndaj mjedisit.