Piktura e artistit britanik shitet për 90 milionë dollarë në Nju Jork

Një pikturë e famshme e artistit britanik, David Hockney, është shitur në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në Nju Jork për një çmim prej 90 milionë dollarësh, që paraqet rekord të ri për një pikturë të një artisti të gjallë.
Piktura, e titulluar “Portreti i një artisti”, në të cilën shihen dy njerëz, ishte parashikuar të shitet për një çmim prej 80 milionë dollarësh. Ajo u shit pas një beteje 10 minutëshe mes dy ofertuesve kryesorë, të cilët komunikonin përmes telefonit. Ofertuesit tjerë ishin dorëzuar kur çmimi i pikturës kishte arritur në 70 milionë dollarë.

Kjo shitje e kalon rekordin e kaluar, i cili ishte vënë nga artisti amerikan, Jeff Koons. Skulptura e tij, e quajtur “Balloon Dog”, ishte shitur për 58 milionë dollarë në vitin 2013. Të pranishmit në ankand filluan të duartrokasin kur ra çekani, me ç’rast çmimi i përgjithshëm i blerjes do të jetë 90.3 milionë dollar, pasi të përfshihet edhe pagesa për shtëpinë e ankandeve.

Emri i shitësit dhe blerësit të ri nuk u publikuan nga shtëpia e ankandeve. Kjo pikturë ishte bërë në vitin 1972 dhe është një ndër pikturat më të njohura të këtij artisti. Pikturimi i saj në fillim ishte planifikuar të bëhej në dy pjesë të ndara, por më pas dy pjesët ishin kombinuar në një pikturë të vetme. Më herët gjatë këtij viti, një pikturë tjetër e të njëjtit artist ishte shitur për 28.5 milionë dollarë, shkruan “BBC”