Pishinat verës fitojnë shumë, po nuk i paguajnë shtetit tatim!

Pishinat janë ndër bizneset me fitimprurëse gjatë verës në Kosovë. Numri i tyre vazhdimisht po rritet, ku gjatë sezonit të verës kanë frekuentim të madh nga qytetarët.

Koha e pushimit dhe vapa e madhe i bënë që qytetarët t’ia mësyjnë pishinave për tu freskuar e relaksuar.

Sa i përket çmimeve për hyrje në këto pishina, disa janë me të lira e disa janë më të shtrenjta, ku çmimi shkon deri në 10 euro për të rritur.

Pavarësisht, fitimit që kanë, ato nuk i paguajnë tatim shtetit. Në shumicën e pishinave nuk lëshojnë kupon fiskal madje nuk janë të pajisura as me arka fiskale.

“Po gjatë verës shkoj disa herë në pishina, qoftë me familje apo edhe me shoqëri. Por, nuk me ka ndodh që ndonjë nga pishinat të më jep kupon fiskal apo nuk i kam parë të kenë arka fiskale. Ndërsa, gjithë ata njerëz që janë aty, të gjithë paguajmë po nuk marrim kupon fiskal. Po iu ikin tatimeve të shtetit, shumë keq”, ka thënë Besnik Gashi për Indeksonline.

Por çfarë thonë zyrtarë të ATK-së për shmangien nga tatimi i pishinave. Në një përgjigje me shkrim për Indeksonline nga ATK, nuk e ka bërë të ditur sa është numri i pishinave që janë të fiskalizuara. Por, që janë deklaruar se çdo biznes që kryen pagesa duhet të pajisjet me arka fiskale.

“Çdo biznes i cili kryen pagesa me para cash duhet të pajisjet më arka fiskale dhe të lëshoj kuponë fiskal. Ju informojmë së deri më tani kemi 31,099 biznese të fiskalizuara më rreth 41,018 pajisej elektronike fiskale të instaluara, ku në mesin e këtyre marrin pjesë edhe pishinat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Derisa, kanë bërë të ditur se në baza ditore zhvillojnë aktivitete operacionale, si tek sektori i hotelerisë dhe pishinat, që paraqesin potencial për të shmangur tatimet.

“ATK bazuar në planet vjetore dhe operative në sezonin e verës zhvillon aktivitete operacionale, ku tentohet të jemi më afër atyre që kanë aktivitete të shtuar në këtë periudhë, si tek sektori i hotelerisë, estrada por edhe te pishinat, që për ne paraqesin një potencial për të shmangur tatimet.

Në këtë drejtim ne në baza ditore apo 24/7 zhvillojmë aktivitet me qëllim të identifikimit dhe sigurimit të informatave të mjaftueshme për të bërë vlerësime ndaj atyre që nuk i përmbushin detyrimet ligjore”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e ATK-së.

Ndryshe, sipas ligjit, kushdo që me qëllim fsheh apo shmangët pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, mund të dënohet me burg nga tri deri në 8 vjet burgim, varësisht nga shuma.