Policia spanjolle mbyll qendrat e votimit në rajonin e Katalonisë

Policia e Spanjës ka marrë masa drastike për ta parandaluar referendumin e rajonit të Katalonisë, duke rrethuar shumicën e ndërtesave publike që ishin caktuar për të qenë vendvotime më 1 tetor, ditën kur është planifikuar të mbahet referendumi i Katalonisë për pavarësi nga Spanja.

Katalonasit në rajonin verilindor kanë okupuar disa prej ndërtesave të caktuara si pika votimi, me qëllim që të sigurohen se votimi i nesërm do të ndodhë, votim ky që është shpallur ilegal nga autoritetet spanjolle.

Ministria e Brendshme spanjolle tha sot se shumica e pikave të votimit janë të mbyllura nga policia, kurse pak prej tyre janë të zëna nga separatistët, të cilët Madridi i quan pengesë për zbatimin e ligjit.

Qeveria në Madrid thotë se 1300 nga 2315 qendra votimi janë mbyllur nga policia për të mos lejuar votimin, kurse autoritetet në Kataluni kanë thënë se kanë marrë nën kontroll 163 shkolla ku do të votohet nesër, për të mos lejuar policinë që hyjë në to.

Katalonia është regjion i pasur brenda Spanjës. Rajoni ka 12 mijë kilometra katrorë dhe përbën 20 përqind të ekonomisë spanjolle. Ata kanë gjuhën e tyre që e mësojnë në shkolla. Referendumi i planifikuar për nesër është shpallur ilegal nga Gjykata Kushtetuese Spanjolle, që ka thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën e vitit 1978.