Pompeo porosit Evropën: Rezistoni ndikimit rus dhe kinez

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, porositi vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore që t’i rezistojnë ndikimit rus dhe kinez.

Pompeo po merr pjesë në manifestimet për 30 vjetorin e rënies së komunizmit.

Ai tha në Bratislavë të Sllovakisë se Kina dhe Rusia përbëjnë një kërcënim të dyfishtë për përparimin e demokracisë dhe tregun e lirë, që nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, raporton REL.

Vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, sipas tij, janë më të ndjeshme për shkak të “investimeve grabitqare” dhe ndërhyrjeve politike.

Sekretari amerikan i Shtetit, tha se për të luftuar këtë kërcënim, Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin në rajon përmes një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin e mbrojtjes dhe programeve të shkëmbimit.

Sekretari amerikan e filloi turin në Evropë me vizitën në Hungari ndërkaq ndalesa e dytë e tij ishte Sllovakia. Ai gjithashtu do të vizitojë Poloninë, Belgjikën dhe Islandën.