Presidenti i ri pritet ta sjellë shpresën e rimëkëmbjes te Barcelona

Barcelonë, 5 mars – Java që filloi me futjen e ish-presidentit në burg do të përfundojë me zgjedhjen e një presidenti të ri të klubit të madh të futbollit. Te Barcelona shpresojnë që zgjedhjet e së dielës mund të jenë një pikë kthese për një klub të futur në krizë.

Joan Laporta, Victor Font dhe Toni Freixa ishin të gjithë në “Camp Nou” të mërkurën, për ta parë Barcelonën që përmbysi rezultatin kundër Sevillas në kohën shtesë, për t’u kualifikuar në finalen e Kupës së Spanjës.

Por, kushdo që votohet nga 110 mijë anëtarët e Barcelonës ka një “rikthim” shumë më të vështirë për të bërë. Do të përballet me një klub në borxhe, lojtari më i madh i të cilit mund të jetë gati të largohet në verë dhe reputacioni i të cilit vazhdimisht është hedhur për toke. Goditja e fundit ndoshta erdhi të hënën, kur ish-presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu, që u detyrua të japë dorëheqjen në tetor, u arrestua duke kaluar natën prapa grilave. Policia spanjolle bastisi zyrat në stadiumin “Camp Nou”, si pjesë e një hetimi për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve.

“Për imazhin e klubit kjo nuk është aspak e mirë”, pranoi trajneri Ronald Koeman ditë më parë.

Goditje të rëndë klubi mori edhe gushtin e kaluar, kur Lionel Messi, i cili u bashkua me Barcelonën si një djalosh 13-vjeçar dhe u bë më i madhi i skuadrës, u përpoq të largohej falas, duke përmendur një klauzolë në kontratën e tij. Ai donte të largohej, për shkak se klubi nuk kishte “asnjë projekt ose asgjë tjetër për një kohë të gjatë”.

Tjetër goditje ishte kur Barcelona u shkatërrua nga Bayern Munichu, me rezultatin 8:2 në Ligën e Kampionëve. Ajo ishte disfata më e rëndë e klubit në Evropë, një poshtërim epik për të gjithë lojtarët, stafin e tifozët anembanë botës. Kishte gjithashtu një sezon të parë pa një trofe të fituar në 12 vjet, humbje të njëpasnjëshme ndaj Real Madridit, kritika publike për ulje të pagave dhe gjashtë anëtarë të bordit që dhanë dorëheqjen. Në çdo vit tjetër, të gjitha ato mund të ishin dështime përfundimtare për Barcelonën.

“Askush nuk mund ta mohojë krizën aktuale, që është rezultat i qeverisjes së keqe dhe udhëheqjes së vjetër”, shkroi Ernest Folch të premten në të përditshmen “Diario Sport”. “Barça më në fund mund ta fillojë një kapitull të ri me presidentin në ardhje, cilido qoftë ai”.

Për Laportan, Fontin ose Freixan nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë. Nuk ka asnjë marrëveshje sponsorizimi ose shenjë e ndryshimit të lojës që mund ta lajë një krizë të shkaktuar nga vitet e keqmenaxhimit, harxhimet e gabuara dhe mosbesimi. Mund të ketë edhe më shumë trazira që mund të vijnë.

Me një president të ri, puna e Koemanit si trajner bëhet menjëherë e pasigurt, pavarësisht se holandezi ka një sezon gjerësisht inkurajues që ende mund të përfundojë me triumf në Kupën e Spanjës dhe ndoshta në La Liga, nëse Atletico Madridi nuk e mban vazhdimësinë. Font, në veçanti, ka ndërtuar fushatën e tij në idenë që ai mund të sjellë Xavi Hernandezin si trajner. Vendimet do të duhet të merren edhe për veteranët si Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Gerard Pique, të cilët i kanë dhënë klubit kaq shumë, por vitet kanë bërë që forma e tyre të bjerë gradualisht. Dhe nëse disa largime vijnë me trishtim, të tjerat do të sillnin lehtësim, edhe nëse gjetja e blerësve për të tillët si Philippe Coutinho, Samuel Umtiti, madje edhe Antoine Griezmann, do të ishte e vështirë në një treg të mbërthyer nga pandemia që ka shkaktuar krizë financiare.

Për t’i lehtësuar borxhet bruto të klubit prej 1.2 miliardë eurosh, presidenti i ri do t’i numërojë ditët derisa tifozët të kthehen në stadium dhe të hapen dyqanet e klubit. Por, drejtuesit do të duhet të jenë gjithashtu krijues.

Laporta këmbëngul që rinovimi i stadiumit “Camp Nou” duhet të jetë një përparësi, ndërsa Font ka folur për një plan 100-ditor dhe nevojën për t’i përdorur më mirë reklamat e audiencës ndërkombëtare të Barçës. Freixa ka thënë se ai tashmë ka një marrëveshje sponsorizimi për fanellat me vlerë prej 60 milionë eurosh në sezon. Ata të gjithë do ta dinë se mënyra më e shpejtë për të kursyer para do të ishte lirimi i Messit, kontrata e të cilit i kushton Barcelonës 139 milionë euro në vit, sipas detajeve të botuara nga “El Mundo” në janar. Megjithatë, për ta shitur Messin, fillimisht duhet bindur që të firmosë kontratë të re, pasi aktualja i skadon në qershor.

“Duke folur ekonomikisht, unë do ta shisja Messin në verë”, tha Carles Tusquets, presidenti i Komitetit të përkohshëm të klubit.

Largimi i Messit mund të lejojë që të tjerët të shkojnë përpara ose ai mund të jetë pjesë e ringjalljes, një udhëheqës për brezin e ardhshëm, i bindur të qëndrojë nën ambicien e një projekti të ri. Për një regjim në ardhje, nuk do të kishte votim më të fortë besimi sesa nënshkrimi i Messit për një marrëveshje të re.

E ardhmja e Messit mund të jetë vendimtare.