Presidenti Thaçi propozon gjendjen e jashtëzakonshme në vend

Hashim Thaçi, president i Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në një konferencë për media, ka thënë se i propozon Kuvendit të KOsovës shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë pas gjendjes së krijuar me koronavirusin.

“Jemi në rrethanë të papërjetuar më parë dhe si shtet duhet t’i marrim përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave si shtet, për preventimin e një situate edhe më të rënduar për të gjithë shoqërinë kosovare. Ky s’është grip sezonal, por virus i rrezikshëm dhe vdekjeprurës. Duhet të angazhohemi të gjithë me të gjithë potencialet që i kemi. Duke respektuar edhe Kushtetutën, edhe Ligjet, edhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, sonte thirra për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I jam drejtuar kryeministrit Kurtit që ta thërret në bazë të kompetencave. U takuam, biseduam, ishte një bisedë shumë korrekte, e përgjegjshme, konstruktive dhe e nevojës për tejkalimin e kësaj situate, por edhe për ndërmarrjen e rasteve që të mos kemi më raste të tilla. Pas konsultave me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj të potencoj, që të mos eskalojë situata më tutje, që të tejkalohet kjo gjendje jo e lehtë, por e rëndë, kërkohet nga të gjitha institucionet, të jemi në krye të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, prandaj atë që e theksoj sonte, nuk e kam menduar se do të mund të vijë ky moment që të deklaroj se sonte jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, tha Thaçi.

Ai falënderoi mjekët, infermierët, gjithë personelin shëndetësor, për punën e pakursyer që po e bëjnë në këtë periudhë.

Thaçi falënderoi edhe Policinë, edhe ushtarët e FSK-së, dhe të gjithë njerëzit e angazhuar në përballimin e kësaj situate dhe mundësitë e ecjes më të sigurt përpara.

“Shëndeti është mbi të gjitha për ne. Tani ballafaqohemi me një të keqe që mund ta tejkalojmë vetëm bashkërisht duke u angazhuar të gjithë në përgjegjësi private. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë vartësit e institucioneve që po angazhohen për ta tejkaluar këtë situatë. Është një realitet i hidhur. Pa dashur që të nxis panik, por të thërras për kujdes, vëmendje, vigjilencë dhe përgjegjësi të kujdesemi për njëri-tjetrin”, theksoi Thaçi.