Presidenti Thaçi viziton QKUK-në, lavdëron mjekët

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vizituar sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën Infektive, ku po mjekohen pacientët e prekur me koronavirus.

Ai ka lavdëruar punën e mjekëve dhe të tjerëve në luftën kundër pandemisë Covid-19.

Ai ka shprehur besimin se edhe kjo e keqe, siç e ka quajtur ai, do të kalojë, ndërsa ka ftuar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

“Dua të falënderojë mjekët dhe gjithë stafin për punën e mrekullueshme, edhe për shembullin më të mirë që po japin me profesionalizmin e tyre. Sot kam pasur vizitë të kufizuar, duke respektuar rekomandimet dhe besoj se puna e gjithë këtyre mjekëve është një punë që duhet pasur përkrahje prej të gjithëve. Shëndeti i qytetarëve është në duart e mjekëve, por edhe IKSHPK-së. Kam besim të plotë në stafin që është model për rajonin dhe më gjerë”, tha ai.

Pati mesazh edhe për qytetarët.

“Nga kjo hapësirë dëshiroj të dërgoj mesazhin për qytetarët. Tregoni kujdes maksimal, jam i bindur se së bashku do të kalojmë edhe këtë të keqe, dëgjoni dhe respektoni rekomandimet e IKSHPK-së. Mënyra më e mirë për të luftuar COVID-19, është të rrini në shtëpi. Duke qëndruar në shtëpi ju ruani veten dhe familjen”, tha Thaçi.