Privatësia kundrejt sigurisë: Lufta për njohjen e fytyrës

Teknologjia e njohjes së fytyrës papritmas është kudo. Pavarësisht nëse jeni në aeroport, në ndonjë ngjarje sportive apo edhe thjesht duke ecur rrugëve të qytetit tuaj, ekziston një shans i mirë që jo vetëm që jeni duke u shikuar, por edhe duke u identifikuar nga imazhi juaj.

Javën e kaluar, San Francisko u bë qyteti i parë amerikan që e ndaloi qeverinë e vet, përfshirë policinë, që ta përdorë teknologjinë e njohjes së fytyrës, transmeton “Koha Ditore”. Legjislatura e Kalifornisë po e shqyrton një ndalim mbarëkombëtar të përdorimit të kamerave trupore të policisë.

Të mërkurën, ky debat arriti në Washington, pasi ligjvënësit federalë nga të dy partitë e shprehën shqetësimin e tyre për shkeljet e mundshme të të drejtave civile që teknologjia mund t’i paraqiste nëse ajo nuk rregullohet siç duhet.

Debati është shtrirë edhe në sektorin privat. Investitorët e Amazon votuan për ta vazhduar shitjen e teknologjisë së saj për qeveritë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, me gjithë reagimet nga disa aksionarë. Microsofti i ka hedhur poshtë kërkesat e policisë për ta përdorur teknologjinë e kësaj kompanie, por raportohet se e ka furnizuar atë në një burg dhe një universitet kinez.

Pse ka debat

Njohja e fytyrës e ka një gamë të gjerë aplikimesh dhe ka prova anekdotale që ato shërbejnë për disa përfitime reale. Ajo e ka ndihmuar policinë t’i kapë kriminelët e kërkuar, mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë mjekët në diagnostikimin e sëmundjes dhe madje është përdorur për t’i mbrojtur yjet e pop-it si Taylor Swift nga përndjekësit.

Ndërsa ka shumë përdorime për njohjen e fytyrës, ajo gjithashtu paraqet mundësi për aplikim të gabuar ose abuzim të plotë. Ka pak ligje që diktojnë se ku mund të përdoren dhe çfarë ndodh me të dhënat që ajo i mbledh. Teknologjia ngre shqetësime për gjendjen e mbikëqyrjes, dhe mund ta shkelë të drejtën e privatësisë. Ekziston një presion i fortë për rregullim dhe transparencë për t’u siguruar që publiku e di se kush po e përdor teknologjinë dhe për çfarë qëllimi.

Ekzistojnë gjithashtu prova që njohja e fytyrës është më pak efektive në identifikimin e njerëzve me ngjyra dhe femrave, duke çuar në shqetësime se ajo mund të bëjë që njerëzit e pafajshëm të dyshohen në hetime kriminale ose antiterrorizëm.

Çfarë vjen në vijim

Tani për tani, do të varet nga qeveritë dhe kompanitë individuale të vendosin se kur dhe ku do të përdoret njohja e fytyrës. Gjykata supreme në fund ndoshta do të duhet të vendosë nëse përdorimi i saj e shkel Kushtetutën, siç pretenduan disa anëtarë të Kongresit gjatë seancës së të mërkurës.

Teknologjia e njohjes së fytyrës na bën më të sigurt

“Nga terrorizmi, tek personat e zhdukur e deri tek krimet kundër personave dhe pasurive, aftësia e njohjes së fytyrës dhe AI për ta përmirësuar në masë të madhe sigurinë e komuniteteve dhe vendit tonë nuk duhet të hidhen aq lehtë në grumbullin e plehrave të paragjykimeve anti-policore.” – Morgan Wright, The Hill

“Njohja e fytyrës tashmë ka të bëjë me atë se sa prej nesh i hapim telefonat tanë; në të ardhmen do të na lejojë të hyjmë në shtëpitë dhe zyrat tona pa çelës ose kartë identiteti. Ajo do të ndihmojë në mbrojtjen e të gjithë neve (jo vetëm Taylor Swiftit) nga kërcënimet e njohura”. – Holman W. Jenkins Jr., Wall Street Journal

Qeveritë kanë treguar gatishmëri për ta keqpërdorur teknologjinë

“Një gamë dramatike abuzimesh dhe paragjykimesh ka dalë në sipërfaqe … si rezultat, tani besojmë se qeveria shtetërore, lokale dhe federale duhet ta vendosë një moratorium për përdorimin e policisë për njohjen e fytyrës” – Clare Garvie dhe Laura M. Moy, Qendra Ligjore e Georgetown për Intimitet dhe Teknologji

Përfitimet e teknologjisë do të humbnin nëse ajo ndalohet

“Kjo teknologji e fuqishme kërkon mbikëqyrje dhe kujdes për ta parandaluar abuzimin e saj. Por ndalimi do t’i hidhte përdorimet e mira me ato të këqija.” Editorial, Los Angeles Times

Njohja e fytyrës mund ta përjetësojë paragjykimin racor në polici

“Përdorimi i njohjes së fytyrës nga policia për t’i identifikuar të dyshuarit ngre shqetësime të veçanta për shkak të niveleve të larta të pasaktësisë dhe pabarazive racore në mënyrën se si algoritmet mund t’i identifikojnë saktë njerëzit”. – Julie Bosman dhe Serge F. Kovaleski, New York Times

Rregullimi është një rrugë më e mirë sesa ndalimet e drejtpërdrejta

“Si të gjitha teknologjitë e reja, njohja e fytyrës mund të përdoret për të mirë ose për të keq. Rregullimi i përdorimit të saj në sektorin privat do të jetë po aq sfidues, nëse jo më shumë. Por varet nga politikëbërësit që ta arrijnë ekuilibrin e duhur. Thjesht ndalimi i një mjeti i cili premton aq shumë është i barabartë me heqjen e asaj përgjegjësie – dhe kërcënon të lejojë që frika ta pengojë përparimin e vërtetë”. – Editorial, Bloomberg

Gjykatat janë e vetmja rrugë efektive për rregullimin e përdorimit të saj

“Le të shpresojmë që Kongresi dhe gjykatat të kuptojnë se softueri për njohjen e fytyrës e rrit aftësinë e përdoruesve të tij për të na përcjellur, dhe imponuar kufij të ndjeshëm në përdorimin e tij. Përndryshe, Kina me të vërtetë është modeli i së ardhmes”, – John Torpey, Forbes

Frika e një bote pa intimitet tashmë është realizuar

“Nuk ka nevojë të imagjinohet një shtet distopian mbikëqyrës në të cilin qeveria mund t’i ndjekë qytetarët e saj kudo që shkojnë thjesht duke i skanuar fytyrat e tyre. Ai shtet tashmë ekziston.