Projekti i dhëndrit të Nait Hasanit nuk kishte hyrë as në listën e ngushtë të jurisë së QKK-së

Isa Qosja – regjisor, Giovanni Robbian – ekspert i skenarit, Jozko Rutar – producent, Blerta Zeqiri – regjisore, Doruntina Basha – skenariste, Florent Mehmetit – regjisor dhe Ilir Gjocaj – skenarist, ishin juria shtatë anëtarësh e cila vitin e kaluar nuk e ka vlerësuar që të arrijë të financohet projektin “Lojë jete”, me regji të Luan Kryeziut
Por, regjisori Kryeziu, pas më pak se 1 viti, gjeti mbështetje edhe më të madhe për këtë projekt. Është Qeveria e Kosovës, ajo që në mbledhjen e 12 shkurtit i ka ndarë Luan Kryeziut, dhëndrit të Nait Hasanit, gjithsej 180 mijë euro.

Tash e katër ditë, Qeveria e Kosovës, nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme për këtë veprim që e kanë bërë plotësisht në kundërshtim me Ligjin për Kinematografi dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, kjo pasi që, mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka treguar se vitin e kaluar ky projekt i Luan Kryeziut, nuk është vlerësuar nga juria profesionale në konkursin e QKK-së. Tutje, Zharku tha se nuk mund ta komentojnë vendimin e qeverisë.

“Vitin e kaluar pjesë e konkursit të QKK-së, ka qenë edhe projekti “Lojë jete”, ku juria shtatë anëtarësh nuk e ka votuar mjaftueshëm që të arrijë të financohet. Nga 15 projekte që kanë aplikuar në kategorinë për film të metrazhit të gjatë artistik, juria ka mbështetur 6 projekte, ndërsa projekti “Lojë jete”, ka qenë i radhitur i 12-ti në listë. Ky është komenti i vetëm që mund ta bëjmë për faktin se nuk i komentojmë vendimet e qeverisë apo institucioneve tjera që nuk janë në kompetencë tonën”, ka theksuar Arben Zharku – drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Në një deklarim për këtë çështje është distancuar edhe Ministria e Kulturës. Këshilltari i ministrit Kujtim Gashi, Samir Hoxha, ka thënë se projekti nuk ka shkuar nga MKRS.

“Projekti nuk ka shkuar nga Ministria e Kulturës, ky është vendim që është marrë në mbledhje të qeverisë. As un e as ministri nuk kemi qenë këtu gjatë asaj periudhe. Ne nuk e kemi dërgu”, ka thënë Samir Hoxha.

Luan Kryeziu brenda dy muajsh arriti të marrë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rreth 200 mijë euro, duke llogaritur këtu edhe 18 mijë euro që RTK, i dha dhëndrit të deputetit për ta shfaqur filmin ‘Heroi’, film ky i cili premierën e ka pasur në vitin 2014-të.

‘Lojë jete’, është projekti i Luan Kryeziut, i cili nuk u vlerësua nga juria profesionale e Qendrës Kinematografike të Kosovës, institucion ky i vetmi kredibil për të vlerësuar projektet filmike.

Rikujtojmë se Luan Kryeziu, apo dhëndri i Nait Hasanit, vitin e kaluar pati nxitur një debat të madh në medie duke thënë se po bënë film për heroin kombëtar Adem Jashari, dhe se ka refuzuar aktorin e njohur serb, që sipas Kryeziut, pati kërkuar ta jetësoj përmes personazhit Heroin Kombëtar Adem Jashari.