Prokuroria nuk tregon nëse do të ndiqen organizatorët që dëbuan gylenistët

29 marsi i vitit të kaluar ishte edhe data kur dhunshëm për në Turqi u dëbuan gjashtë shtetas, përmes një operacioni të orkestruar mirë e të udhëhequr me direktiva nga lartë nga AKI e Policia e Kosovës. Më shumë se një vit më vonë, ka filluar ngritja e kallëzimeve penale. Mirëpo, për skandalin më të madh që nga paslufta nuk po ndiqen urdhërdhënësit por policët e Kosovës që vetëm zbatuan detyrat. Prokuroria nuk ka dhënë detaje për Gazetën Express se a priten kallëzime të reja penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës për 22 zyrtarë të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti, në rastin e njohur si “Gylenistët”. Sipas Prokurorisë, kallëzimi penal është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i kësaj prokurorie Ekrem Lutfiu. Ai ka shtuar se janë duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë.

Por, se kush janë këta persona dhe a ka ndonjë aktakuzë që pritet të ngrihtet për profilin e lartë të politikanëve, ose udhëheqësve të insitutcioneve nuk është bërë e ditur.

“Për momentin nuk kemi mundësi të japim të dhëna tjera pasi që jemi ende në fazën e hetimeve”, ka thënë Lutfiu.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni. Pas operacionit Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kishte falënderuar Presidentin Hashim Thaçi për bashkëpunimin ndërsa kishte folur ashpër kundër Kryeministrit Haradinaj.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq. Të njëjtët kanë hartuar një raport me më shumë se 82 faqe që tregon në detaje për prapavijën e asaj dite.