PSD kategorikisht kundër ndarjes së mjeteve për Notre Dame

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Frashër Krasniqi ka reaguar pasi që kryeministri Ramush Haradinaj u deklarua se do të ndahen mjete për rindërtimin e Notre Dame në Francë.
Sipas Krasniqit, ndarja e këtyre fondeve po ndahet kur në Kosovë ka më shumë nevojë në shumë objekte që të investohet, duke përmendur edhe disa prej tyre.

Teksa ka cekurën, Kullën e Jasharajve që po shembet, e disa raste të tjera, deputeti ka theksuar se edhe pse djegia e Notre Dame ka prekur shumë njerëz, ndihma do të duhej të vinte nga shtete më të zhvilluara.

“E di që djegja e Notre Dame i ka prekur shumë njerëz, përfshirë edhe mua. Por çdo tendencë për solidaritet me të tjerët që janë shumë përpara teje me zhvillim, ndërkohë që vendin tënd e ke lënë buzë rrënimit, është hipokrizi dhe keqmenaxhim i buxhetit shtetëror”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe, sot kryeministri Haradinaj deklaroi para ambasadorit francez se Kosova do të ndihmojë me mjete Francën për të ndihmuar në rindërtimin e Notre Dame që u djeg para dy ditëve.

Edhe shefi i Frashër Krasniqit, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas raportimeve se Qeveria e Kosovës do të ndajë mjete për rindërtimin e Katedrales Notre Dames.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se fondet që i ka ndarë Qeveria e Kosovës do të ishte më mirë të destinohen për rastet në nevojë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka thënë ai.