PSD: Marrëveshjet e Mynihut të dëmshme, Qeveria Kurti vagon i negociatave të Hashim Thaçit

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas marrëveshjes së nënshkruar sot në Mynih për hekurudhën dhe autostradën mes Kosovës dhe Serbisë

PSD ka shkruar se teksti i marrëveshjes mes dy vendeve të nënshkruara sot nuk dihet.

“Ne nuk e kemi parë tekstin e marrëveshjeve, por e dimë me siguri të plotë që secila marrëveshje që tenton të zgjidhë punë në një fushë konkrete, pa u zgjidhur së pari mosmarrëveshja politike, përbën devijim nga interesat nacionale të Kosovës karshi dialogut, por edhe shtyrje e bishtnim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy popujve”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Partia e udhëhequr nga Dardan Molliqaj ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti se po fshihet duke u bërë vagon i negociatave të Presidentit Thaçi.

“Në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria e sapozgjedhur po vazhdojnë me politikë struci. Siç duket halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun. Prandaj po fshihen. Me këtë çasje, Kryeministri e Qeveria do të mbeten vagon i negociatave të Hashim Thaçit”, thuhet në reagim.