Qytetarët e Pejës me peticion online për mirëmbajtjen e mbeturinave

Peja është qyteti më i bukur në Kosovë, por në qytetin e Pejës mund të shihen mbeturina gjithandej. Arsyet që nuk ka mirëmbajtje të mbeturinave janë të shumta. Njëra ndër to është edhe neglizhenca e qytetarëve por edhe mos menaxhimi i duhur nga autoritetet.

Tani qytetarët në Pejë kanë filluar të nënshkruajnë një peticion online për përmirësim të gjendjes së mbeturinave në qytet.

Në këtë peticion ceket se kompania “Ambienti” po bën një punë të mirë me ato kushte që ka në dispozicion, por që duhet të shtohet numri i punëtorëve dhe kontenjerëve nëpër qytet.

Peticioni në fjalë është nisur nga qytetari Orgen Kelmendi, dhe ka për qëllim që të ngrejë edhe vetëdijen e qytetarëve që të mos hedhin mbeturina vend e pa vend. Po ashtu kërkohet nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, që të marrë masa për zgjidhjen e këtij problemi që po ndikon në jetën e banorëve të këtij vendi.