Raporti sekret i Kadri Hazbiut: Veprat e Kadaresë gjithçka mund të jenë, por socialiste jo!

Publikohet raporti me siglën “Tepër sekret” i vitit 1968 ku ministri i Brendshëm, Hazbiu, informon sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia lidhur me “materialet” që kishte mbledhur Sigurimi lidhur me ato që thuheshin për shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare. Midis të tjerash në atë raport-informacion thuhet: “Romani “Dasma” nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është për tokë. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: ”Kjo vepër gjithçka mund të jetë, por socialiste jo. Një letrar i ri në Laç, thotë: ”Tuneli i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se “Dasma”, e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se “Tuneli”. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani “Dasma”, është si ato që thotë shoku Mehmet, që: 99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. Edhe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” vazhdon ky, – është krejtësisht me frymë revizioniste…”

Ky dokument arkivor që mban datën 14.IV.1968 dhe i sigluar “Tepër sekret”, është një raport-informacion i Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, dërguar Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia dhe tema, apo më saktë siç quhet aty, ”Lënda”, është: “Mbi komentet dhe parrullat armiqësore të elementit armik”. Ajo që vihet re në pamje të parë është fakti, se të tilla informacione të kësaj natyre, Ministri i Brendshëm Kadri Kazbiu, apo zëvëndësat e tij, ia adresonin Hysni Kapos, pasi ai ishte sekretari përkatës në Komitetin Qëndror që mbulonte çështjet dhe problemet që kishin të bënin me organet e dikataturës së proletariatit (Ministria e Brendëshme, Prokurori, Hetuesi, Gjykata etj), ndërsa në rastin konkret, këtë raport ia ka adresuar Ramiz Alisë….?! Me shumë gjasa në atë kohë ose Hysni Kapo nuk do të ketë qenë në detyrë, (pushime, sëmundje etj), ose ky informacion i është dërguar edhe atij, por në dosjen nga ka dalë ky dokument, ai mungon?! Nisur nga periudha kur është dërguar ky dokument, (gjë e cila shihet dhe prej përmbajtjes së tij), pra po të zhvendosemi në kohë, në muajt e parë të vitit 1968, kemi parasysh ngjarjet që po ndodhin në disa vënde të Lindjes, si demonstratat në Çekosllavaki, Poloni, Jugosllavi, por dhe në disa vënde perendimore, (kryesisht me studentët), si në Francë Itali, etj.

Pra nisuar nga situata e tensionuar në planin ndërkombëtar, me një ndjeshmëri të një shkalle të lartë (tipike për vëndet e regjimet komunsite diktatoriale), Tirana zyrtare po tregohej mjaft e vëmëndëshme, pasi i druhej ndonjë efekti “domino” të atyre ngjarjeve, apo në rastin më të pakët, ndikimit të tyre në Shqipëri. Dhe kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet arkivore që gjenden në Fondin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Ministria e Punëve të Brendëshme, i ka dërguar një sërë informacionesh dhe raportesh udhëheqjes së lartë, duke e informuar deri me detaje, mbi çka ndodhte në çdo skaj të vëndit, nga jugu në veri. Dhe jo pa arsye, pasi siç duket dhe nga ky dokument, por edhe nga një sërë dokumentesh të tjera arkivore që ndodhen në dosjet përkatëse në arkivat e shtetit, situate në atë kohë po precipitonte në atë mënyrë, saqë regjimi komunist i Tiranës, pas ndërhyrjes së trupave ushtarake sovjetike në Çekosllavaki, e kaloi ushtrinë në gatishmëri nr. 1, njësoj si në gjëndje lufte. Dhe më shumë se sa ndonjë agresioni nga jashtë, regjimi komunist i druhej ndonjë lëvizje nga brenda. Në këtë kontekst të rrjedhës llogjike të ngjarjeve, kjo periudhë kohe (gjithë viti 1968), është një nga periudhat më alarmante dhe të frikshmet që ka kaluar ai regjim, deri në vitin 1990-ën kur ndodhi ngjarja e ambasadave.

Dhe në këtë kontekst kohor, është dhe ky informacion, ku midis të tjerash, Ministri Kadri Hazbiu, krahas problemeve të fushave të ndryshme që preken në atë raport, ndalet dhe te “Arti, kultura dhe letërisa”, gjë e cila zë pothuaj gjysmën e të gjithë raportit në fjalë. Lidhur me këtë problem shihet se ai ka raportuar me detaje për të gjitha komentet që bëheshin në atë kohë për artin dhe letërsinë, në të gjithë

vëndin. Me shumë interes ashtë ajo pjesë e raportit, ku jepen të dhëna mbi çka flitet dhe diskutohet për artin, kulturën dhe letërsinë, në qytetin e vogël industrial të Laçit, që asokohe i ngjante një fshati me trotuare. Dhe akoma më interesant, është fakti se në atë qytet të vogël, kishte një rreth letrar, (me kryetar Luan Maluka) ku diskutoheshin me kompetencë problemet më të mprehta dhe më të ndjeshme që kishte Letërsia dhe Artet në Shqipëri. Si: “kritika e Bilal Xhaferrit ndaj “Dasma”, “kritika e Kadaresë ndaj “Garda krutane’ të Kol Jakovës”, “ngjashmëria nës mes ‘Tuneli’-t, të Xhuvanit me ‘Dasma’ të Kadaresë”, etj etj. Dhe kjo ka ndodhur vërtet; Në atë kohë në qytetin e vogël të Laçit, kishte shkuar me qarkullim (si mjaft shkrimtarë e artistë të tjerë që u dërguan në rrethe të ndryshme), dhe banonte me gjithë familjen e tij, shkrimtari i njohur Kolë Jakova. I cili asokohe kishte një famë dhe emër të madh, pasi në ato vite ishte në kulm jehona e veprës së tij, “Toka Jonë”.

Po kështu bashkë me Kol Jakovën, në atë qytet të vogël ishte dhe shkrimtari minoritar Spiro Xhaj, gjithashtu mjaft i njohur në atë kohë, si dhe Siri Sulejmani, shkrimtar që vinte nga klasa punëtore. Rreth Kolës e Spiros, që pjesën më të madhe të kohës e kalonin te “Klubi i madh” (kafe-restorant me emër në të gjithë veriun), mblidheshin disa letrarë të tij dhe dashamirës të artit si Luan dhe Robert Maluka, Mehmet Isaj, Andrea Martini, Siri Sulejmani, Sadri Ahmeti, Maqo Trebicka, Vladimir Ndini Gjergo, Engjëll Dusha, etj. Dhe jo rrallë me ta bashkohej dhe Bilal Xhaferri, mik dhe shok i ngushtë i Luan Malukës, me të cilin kishte punuar bashkë në një vënd pune në ndërtim. (Veç kësaj, Bilal Xhaferri ndalonte në Laç, kur zbriste nga treni dhe merrte rrugën për të shkuar në Rrëshen, te Musine Kokalari dhe disa miq të familjes së tij nga Çamëria, që ishin të internuar në atë qytet).

Në këtë rreth shoqëror që i bashkonte edhe pasioni për letërsinë dhe artet, ata shikonin tek Kola njeriun që do t’i ndihmonte për të botuar ndonjë poezi, tregim apo ndonjë shkrim në faqet letrare të gazetave. Dhe mes kësaj shprese dhe ëndrrës për t’u afirmuar, ata e shikonin dhe e kishin si idhull Kolën, që duhet thënë se ishte shumë popullor dhe gjithashtu i respektonte dhe u premtonte miqve të tij laçianë. Po kështu të njëjtat gjëra si për Kolën, ata ushqenin edhe ndaj Bilal Xhaferrit, me të cilin kishin shumë më tepër miqësi pasi siç shprehet Luan Maluka, ishin “shokë armësh”, se Bilali ishte punëtor i thjeshtë si ata. Madje për shumë kohë kishte qenë si ndihmës hekur-kthyes i Luanit. Nisur nga të gjitha këto, lidhur me debatin që ishte hapur edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë, si; ai “Bilal Xhaferri – Kadare”, për “Dasma”, apo “Kadare – Kol Jakova”, për “Garda krutane”, ku Kadare ishte një nga kritikët më të spikatur ndaj saj, i gjithë grupi, natyrisht që mbante anën e Kol Jakovës dhe flisnin ashpër kundër Kadaresë. Po kështu edhe peticioni që flitet në dokumentin e Ministrit Kadri Hazbiu, që ata kishin firmosur dhe donin ta dërgonin në shtyp pas publikimit në gazetën “Drita” të artikullit kritik të Kadaresë ndaj ”Garda krutane”, është i më se i vërtetë.

Këtë gjë e ka dëshmuar para shumë kohësh Luan Maluka, (ka dy muaj që ka ndërruar jetë në Laç), ish-drejtues i rrethit letrar të Laçit në atë kohë, gjë e cila thuhet dhe në dokumentin e Ministrit të Brendshëm. Po kështu, Luan Maluka, na ka dëshmuar duke pohuar edhe për atë që thuhet në fund të raport-informacionit, ku aludohet hapur ndaj Kadaresë: ”Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”. Luani, por dhe i gjithë grupi, e kanë ditur që në atë kohë se nga ka rrjedhur informacioni (person jashtë atij grupi) që ka rënë në veshin dhe raportin e Sigurimit, por nuk kanë asnjë qefmbetje ndaj tij. Duke shtuar jo pa humor: “ka qenë shumë korrekt, nuk ka shtuar asnjë fjalë”?! Fatkeqësisht, disa vjet më vonë, me përjashtim të Maqo Trebickës, (që u përjashtua nga partia, për zbutje të luftës së klasave), për arsye nga më të ndryshmet, i gjithë grupi i rrethit letrar të Laçit, që bashkoheshin me Kolë Jakovën, përfunduan në burgjet politike të Enver Hoxhës…?! Kjo gjë nuk kishte lidhje as me Kolën, as me Bilal Xhaferrin dhe as me njeri tjetër.

Këtë e pohon edhe Luan Maluka, duke thënë: “Më mirë se ne, nuk i plotësonte asnjeri kushtet për të shkuar në Spaç”. Jo pa qëllim u zgjatëm me hollësira dhe me detaje rrreth ngjarjeve të ndodhura në rrethin letrar të Laçit plot 51 vite të shkuara, jo vetëm për faktin se ato zinin gati gjysmën e dokumentit arkivor për të cilin po flasim, por për të treguar se si funksiononin ingranazhet e atij regjimi dhe konkretisht ndaj ndjeshmërisë së lartë për të përgjuar dhe dokumentuar çdo gjë që flitej ndaj Kadaresë?! Dhe ku më mirë se në një rreth të tillë personazhesh (pothuaj të gjithë ishin me “probleme në biografi”), mund ta bëntë atë gjë?! Ashtu si dhe dokumentet e tjera, edhe këtë dokument po e botojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim apo ndryshim.

MINISTRA E PUNEVE TE BRENDESHME Tepër Sekret

DREJTORIA E PARE Tiranë, më 14.4.1968

Nr. 1025, Prot.

Lënda: Mbi komentet dhe parullat armiqësore të elementit armik

SEKRETARIT TЁ K. Q. TЁ P. P. SЁ SHQIPЁRISЁ

SHOKUT RAMIZ ALIA

TIRANЁ

Ngjarjet e kohëve të fundit të Çekosllovaki e Poloni, demonstratat e punëtorëve dhe të studentëve në Francë, Itali e Jugosllavi, etj, dhe propaganda imperialisto-revizioniste mbi rrugët e demokratizmit dhe liberalizmit të këtyre vendeve ka influencuar që elementi armik të shpresojë se ndryshime të tilla, shpejt a vonë, do të ketë dhe në vendin tonë. Si rezultat i këtyre ngjarjeve duket një aktivizim dhe intensifikimi i veprimtarive armiqësore me anë parullash e komentesh që shprehen kundra masave revolucionare të Partisë, në lidhje me diktaturën dhe luftën e klasave, kontrollin punëtor, revolucionarizmin e shkollës, artit e kulturës etj, të cilat i quajnë si masa ekstreme që merren nga udhëheqja, nga frika e ndikimit të këtyre ngjarjeve që mund të sjellin ndryshime kursi edhe në vendin tonë.

Këto komente janë bërë më tepër në rrethet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Peshkopi, Vlorë, Fier etj, nga persona të veçantë dhe në rrethe të ngushta armiqësore në qytete dhe në fshat, ndër ta dhe disa intelektualë të rinj, element të deklasuar dhe armiq të cilat ju përkasin këtyre shtresave: 28 % të pasur, 58 % të mesëm, dhe 14 % të shtresës së varfër.

Komentet dhe parullat armiqësore elementi armik i ka bërë kryesisht në këto drejtime:

Mbi ngjarjet në Poloni Çekosllovaki etj

Elementët armiq, në komentet e tyre mbi këto ngjarje shprehen: “Çekët nuk shkojnë në kapitalizëm, siç thonë këta, se atje mjetet e prodhimit janë në dorë të shtetit. Ata janë popuj të avancuar dhe nuk durojnë diktaturën, kërkojnë liri të gjerë të fjalës, në art, kulturë etj. Ata nuk kishin si të duronin zgjedhjen e një qeveria absolute dhe çdo gjë e bënë pa gjakderdhje, u treguan më inteligjentë se hungarezët. Ngjarjet në Çekosllovaki janë të natyrshme, se këtë rrugë dalëngadalë do ta ndjekin të gjitha vendet socialiste. Me këtë që bënë shpëtuan popullin nga fukarallëku, po lirohen të burgosurit politikë,

po lidhin marrëdhënie me Perëndimin dhe kjo është rruga e Titos, i cili me politikën e tij po jua ha kokën një nga një vendeve socialiste dhe po del triumfues. Ajo që ndodhi në Çekosllovaki është një gjë normale, një gjë që vetë jeta e kërkonte dhe kushtet ishin pjekur. Amerika ka për qëllim ta bëj Çekosllovakinë një shtet model për të influencuar edhe në shtetet e tjera komuniste. Udhëheqja çeke ndjek rrugën e drejtë, por radio dhe shtypi ynë nuk tregojnë realitetin, emisionet e radio Pragës flasin se gjendja atje është krejt normale, në kundërshtim me atë që thonë këta. Kampi socialist po shkatërrohet dhe kjo filloi nga Çekosllovakia e Polonia, të cilat ja çorën maskën marksizmit. Këto ngjarje treguan se populli çek i edukuar me ndjenjën e tregtisë dhe të fitimit nuk mund të duronte dot sistemin komunist. Çekosllovakët asnjëherë nuk e kanë dashur komunizmin dhe kjo është e kuptueshme, ata janë popull me traditë kulturale dhe politike”.

Këto ngjarje, elementët armiq i lidhin me gjendjen në vendin tonë dhe thonë: ”Ngjarjet në Çekosllovaki kanë influencuar dhe në shtetet e tjera dhe kjo influencë do të vijë dhe në vendin tonë dhe do të bëjë efektin e saj. Në vendin tonë nuk ka liri, këta flasin për çekët, se po hapin kufijtë, po le ta provojnë njëherë vetë këta dhe do të shohin se këtu nuk do të mbetet më njeri. Gjendja këtu mbahet me anën e diktaturës se po të mos ishte kjo, këtu do të ishte bërë me keq se Çekosllovakia. Në qoftë se nuk i gjeti gjë këta deri tani, kjo nuk do të thotë se do të shpëtojnë përgjithmonë. Ne mund të durojmë edhe ca, pastaj do të ndryshojmë format e punës dhe jetesës”.

Mbi grevat dhe demonstratat në vendet kapitaliste dhe revizioniste

Duke komentuar mbi demonstratat e punëtorëve dhe studentëve në Francë dhe në Itali, shprehen: ”Se atje ata kanë liri dhe të drejta shumë më të gjera se në vendin tonë, se ata bëjnë greva dhe demonstrata, flasin kundër qeverisë dhe i kërkojnë hapur të drejtat e tyre, jo si këtu tek ne që po kërkove një gjë, të përplasin në burg”. Disa intelektualë në Shkodër, thonë se “në Francë dhe në Itali këto lëvizje udhëhiqen nga komunistët për përmbysjen e borgjezisë, por këta tanët i shajnë komunistët e këtyre vendeve si borgjezë dhe të kuq”. Kurse mbi demonstratat në Jugosllavi, thonë se këto do të ndodhin edhe në vende të tjera të Ballkanit, si rezultat edhe në Shqipëri”. Një element armik në Lezhë, duke krahasuar gjendjen e rinisë në ato vende me rininë në vendin tonë, e cila sipas tij është “e dërmuar”, nga aksionet dhe nga zboret ushtarake, thotë: “Ata duan që t’i biesh këtu në vendin tonë që të bëjnë zbore ushtarake, që të mos u bjerë kurrë ndërmend që të bëjnë greva”.

Kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit

Elementët armiq duke vjell vrer kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, shprehen se: “Udhëheqësit luftojnë për interesat e tyre, ata nxjerrin ligje qe janë në kundërshtim me interesat e popullit. Një pjesë e udhëheqjes e kuptojnë këtë por nuk kundërshtojnë se kanë frikë. Formalisht thuhet se pushteti është i popullit, por faktikisht ai është në dorën e dy vetave. Asnjërit s’ia mban të flasë lirisht dhe të gjithë thonë amin për ata që ngrenë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu”. Një element armik në Lushnje thotë: “Se po të mos i kishin lyer duart me gjak, (udhëheqja), do ta kishin kthyer rrugën ashtu si Hrushovi, por këta kanë frikë se do të japin llogari para popullit”. Se: “Udhëheqësit janë plakur dhe po të ngjasë ndonjë e papritur, do të ndodhë si në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera që kur vdiq Stalini ndryshoi çdo gjë”. Një element armik në Durrës thotë: ”Se nuk duhen humbur shpresat, se këta janë të rrethuar

dhe nuk do të shpëtojnë dot nga rrethimi, si puna e një shpendi që rrethohet nga gjahtarët e nuk shpëton pa u vrarë”. Në Peshkopi një element armik shprehet:”Se djemtë e Kaloshëve nuk duhet të punojnë në fermë, por të ngrihen dhe të vrasin ndonjë nga udhëheqësit e rrethit. Duhet mbajtur shënim për të gjithë ata që na luftojnë, pasi situata nuk të qëndrojë kështu, por do të ndryshojë”. Në Shkodër, lidhur me dënimin e disa klerikëve thonë: “Ata nuk kanë ditur të punojnë kundër pushtetit, se me disa njerëz ky pushtet nuk rrëzohet, po nuk pati përçarjen e udhëheqjes së Partisë dhe qeverisë dhe po nuk pati kushte për ndihma nga jashtë”.

Një element armik në Durrës, shprehet se: “Vetëm Shqipëria ka mbetur në gjendje mesjetare në Evropë, dhe si të mos jetë kështu, kur dy milion vetë punojnë për dy veta. Sot jetojmë në këtë tip feudalizmi që udhëheqësi i Partisë ka 4-5 vila, kur njerëzit nuk kanë konditat e domosdoshme të banimit, ka 4-5 vetura, kur një inxhinier nuk ka as biçikletë. Ç’i duhet popullit se të kujt janë ato si prona, kur çelsat e vilave i mbajnë shërbyeset e udhëheqësve dhe kur me vetura bredhin fëmijët e tyre. Nuk ka asnjë vend në botë që të ketë një raport të tillë si tek ne, midis jetës që bëjnë udhëheqësit dhe asaj që bën populli”.

Mbi qarkullimin e kuadrit dhe kontrollit punëtor

Në lidhje me politikën e qarkullimit të kuadrit, elementi armik shprehet se:”Në këtë mënyrë likuiduan njerëzit e dyshimtë, kurse me kontrollin punëtor duan të likuidojnë disa drejtues që për këta janë të padëshirueshëm dhe të justifikohen sikur i heq masa. Nga ana tjetër duan të bëjnë sa më shumë spiunë. Një element armik në Durrës thotë:”Që të jetosh sot duhet të jesh servil, të jesh i poshtër dhe spiun se kështu të duan këta”. Kurse një element antiparti në Lushnje shprehet kështu:”Ne kemi kritikuar me kohë treshet në ndërmarrje, por këta nuk na kanë dëgjuar. Këta kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë, por këta i godasin tani për të justifikuar veten dhe të trembin të tjerët”. Në Rrëshen një element armik thotë: “Masa nuk mund ta kalojë cakun e kritikës, pse ajo nuk mund të kritikojë sistemin shoqëror, politik dhe ekonomik ashtu siç bëhet në Çekosllovaki. Diktatura e proletariatit tek ne nuk drejtohet nga masat, por nga Partia”.

Mbi revolucionarizimin e shkollës

Ka komente të ndryshme, duke shprehur mosbesimin ndaj masave që ka marrë Partia. Akuzojnë organet e arsimit se këto masa do ta çojnë jo në forcim por në dobësimin e shkollës. Një intelektual, reaksionar, duke komentuar fjalimin e shokut Enver të 7 Marsit, midis të tjerash është shprehur: “Se shoqërisë nuk mund të imponosh një ideal arsimi, ashtu siç nuk mund t’i imponosh shoqërisë edhe në fusha të tjera një ideal të vetëm”. Duke folur për pamundësinë e zhvillimit të horizontit të arsimtarëve nga mungesa e literaturës së nevojshme dhe nga kushte e vështira në të cilat jetojnë dhe punojnë, ata nuk janë në gjendje që të kryejnë të gjitha detyrat që u ngarkohen. Po kështu ata flasin dhe për kushtet e vështira të jetesës së nxënësve, të cilët sjellin si rezultat që përfitimet të mos jenë të njëllojta, kështu që mësuesit të indinjuar nga kjo gjendje, nuk mund të kërkojnë më shumë nga këta. Si mund të mendohet për kalueshmëri 100 % kur nxënësit nuk kanë kondita të barabarta ekonomike, zhvillimi mendor etj. Del se propaganda që bëhet për këtë është gënjeshtër.

Akuzojnë se çdo gjë bëhet sipas udhëzimeve nga lart dhe se punonjësit e arsimit nuk dinë se çfarë të bëjnë, se këto udhëzime janë kontradiktore me ato që kërkohesh më parë, ndërsa për heqjen e notës

thonë: “Një shpërdorim i tillë ndodh siç dihet me paranë, dhe nota nuk mund të zhduket në kushtet e tanishme, ashtu siç nuk mund të zhduket edhe paraja”. Disa arsimtarë në Tiranë shprehen se: ”Kjo është një tendencë e gabuar dhe shkohet nga një ekstrem në tjetrin, se tani është bërë një lëmsh i madh dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë. Gjendja është bërë shumë e vështirë në arsim, është tamam koha për të dalë në pension, që të mos përzihemi fare në këto reforma që parashikohen të bëhen. As ne nuk e kemi të qartë se çfarë do të bëhet, por megjithatë do të bëhet diçka që nuk do të gëlltitet dot”. Disa arsimtarë në Korçë kanë komentuar se: “E gjithë kjo që duan të bëjnë është në dëm të arsimit, duke i dërguar nxënësit në aksione vullnetare, stërvitje etj, nga mësimet mbeten prapa. Më parë nuk kishte të tilla gjëra dhe shkolla ishte më e fortë”.

Në Gjirokastër është komentuar se: “Këto masa po prishin shkollën. Në vende të tjera si në Çekosllovaki etj, ka liberalizëm, por atje niveli kultural dhe edukata familjare janë më të zhvilluara”. Një element armik në Gramsh është shprehur se: “Ne po bëjmë punë boll. Fjalimi i shokut Enver i 7 Marsit është një përsëritje e gjithë gjërave që janë thënë dhe më parë nga persona dhe pedagogë të ndryshëm”. Kurse një element i tillë ne Rrëshen thotë: “Sot ka vetëm politikë në shkollë dhe jo mësim me cilësi, ka rënë personaliteti i mësuesit dhe zot në shkollë sot është vetë rinia. Se shkollat më parë ishin më të forta dhe më të mira se universitetet sot”.

Në disa rrethe si në Tiranë, Durrës, Shkodër etj ka komente se revolucionarizimi i shkollës bëhet vetëm me qëllim spastrimi të arsimtarëve me të kaluar të keqe dhe shprehin pakënaqësinë se nga një gjë e tillë do vuajnë, bile në Shkodër ka shprehje të tilla: “Kryeministri ka thënë se do të përjashtojmë nga arsimi ata me të kaluar të keqe dhe fëmijë të tyre nuk do t’u japim bursë. Kjo s’është e drejtë. Deri tani kemi ngrënë bukë me anë të lapsit, por tani për ne vjen fundi”. Si rezultat i kësaj në radhët e arsimtarëve me përbërje të keqe politike, shfaqen mendime të ndryshme si: “Megjithëse me këtë pushtet ne jemi të pakënaqur, ne në një rrugë që nuk dalim dot, sot për sot nuk duhet të futemi”. Kurse të tjerë thonë: “Ne duhet të organizohemi në grupe në rast se situata luan”.

Mbi letërsinë, artin dhe kulturën

Ka pas komente nga disa intelektualë, të cilët të influencuar nga ngjarjet e jashtme, në mënyrë të ndryshme shprehen kundra masave të Partisë për revolucionarizmin e artit e kulturës, flasin për “censurë”, që gjoja ekziston në krijimtarinë tonë artistike dhe në botimet tona, për receta dhe diktime nga lart, për apolitizëm, liberalizëm dhe demokratizim si kushte të domosdoshme për zhvillimin e artit dhe të letërsisë sipas shembullit të Çekosllovakisë dhe vendeve të tjera revizioniste, lidhur me këtë thonë: ”Iku koha e dikurshme e shfaqjeve, tani gjendja e artit po bëhet keq e më keq. Se ajo që të kënaq dhe të zbut ndjenjat është muzika klasike, por këta duan që njeriu të jetë i vrazhdët, ashtu siç është dhe jeta dhe koha jonë. Tani nuk ka më muzikë në vendin tonë, dhe po të vazhdojë kështu, për 2-3 vjet gjithçka do të mbarojë.

Në Shqipëri është thënë shumë herë se njerëzit kanë të drejta të flasin dhe të shkruajnë në shtyp ato që mendojnë, por po të flasësh lirisht, fillojnë menjëherë presionet. Të gjitha këto që po dëgjojmë, na bëjnë që librat dhe dijet për marksizmin t’i mbledhim dhe t’i hedhim poshtë. Si është bërë sot, as që duhet shkruar gjëra në konflikte shoqërore, se i nxjerr telashe vetes, duhet bërë siç bëjnë disa njerëz krejtësisht të patalentuar, drama, pllakate, pa konflikte dhe boshe në të cilat nuk sheh asgjë artistike. Këta (Partia), i bëjnë gjërat të maskuara, p.sh., kur një njeri sipas tyre duhet diskretituar, caktojnë njerëz

që t’i vënë fletë-rrufe, ose mbledhin kolektivin ku ka njerëz të porositur që më parë që të ngrihen dhe ta godasin dhe kjo duket sikur del nga masat: por në të vërtetë asgjë nuk del nga masat dhe çdo vendim përgatitet nga lart. Disa intelektualë shprehin pakënaqësinë lidhur me mungesën e kontaktit me botën e jashtme, me artin dhe kulturën botërore dhe thonë se me këtë mënyrë nuk mund të zhvillohet shkenca dhe kultura në vendin tonë. Lidhur me këtë një intelektual në Durrës shprehet: “Neve si inxhinierë nuk na krijohet mundësia të shprehim aftësitë tona, mbasi na është mbyllur rruga për literaturën e huaj, në Tiranë njerëzit që merren me përkthime janë bërë si të hutuar.

Këta po e shtrëngojnë punën dhe duan të bëjnë pastrime dhe në art e letërsi, ashtu siç bëjnë kinezët, për t’i dhënë atyre të kuptojnë, se edhe ne ecim paralel me revolucionin kultural”. Kurse në Shkodër një intelektual thotë:”Politika është vënë mbi artin, kjo nuk është aspak e drejtë, mbasi populli ka nevojë për art dhe jo për politikë. Po të botohen vepra, njëra politike dhe tjetra artistike, kuptohet se do të lexohet më tepër kjo e fundit. Po të vazhdohet kështu, do të arrijmë në eliminimin e çdo gjëje artistike, duke zëvendësuar atë me politiken. Këta duke vënë politikën në plan të parë dhe mbi artin, nuk lejojnë përkthimin e veprave më të mira të letërsisë dhe artit botëror”. Komente dhe parulla ka pasur edhe rreth diskutimit që janë bërë kohët e fundit në rrethet letrare mbi poemën “Garda Krutane” të Kol Jakovës dhe romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Për të parën shfaqen mendime se është kritikuar pa të drejtë, kurse për të dytën thonë se ai është mohim i realitetit tonë dhe se mbrohet pa të drejtë.

Kështu një element armik në Krujë thotë: “Letërsisa e realizmit socialist, është e dobët, nuk pasqyron drejt realitetin, bile shpesh herë e shëmton dhe kjo shfaqet dhe në romanin “Dasma”. Një shkrimtar thotë se: “Kritiku i “Dasmës” është një prozator i madh dhe një sërë çështjesh i ka pasë të drejta. Romani “Dasma” nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është për tokë. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: “Kjo vepër gjithçka mund të jetë, por socialiste jo”.

Një letrar i ri në Laç, thotë:”Tuneli i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se “Dasma”, e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se “Tuneli”. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani “Dasma”, është si ato që thotë shoku Mehmet, që: “99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. Edhe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vazhdon ky, -është krejtësisht me frymë revizioniste. Në radhët e shkrimtarëve ka komente se në veprat e Kadaresë si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përbindëshi”, “Dasma”, nuk ka përmbajtje të shëndoshë komuniste, se nën pretekstin e frymës së re, ai sjell idetë revizioniste në letërsi, por ky përkrahet nga të mëdhenjtë dhe s’guxon njeri ta kritikojë”.

Me sa shohim nga analiza e këtyre të dhënave në disa rrethe letrare që janë krijuar në disa qendra industriale e qytete të vogla, rezulton se kontrolli i organeve përkatëse nuk është në lartësinë e duhur. Këto kanë një përbërje heterogjene dhe në to bëjnë pjesë edhe elementë të deklasuare me qëndrim jo të mirë politik. Kështu ka ndodhur p.sh në Laç ku të tillë element kanë qenë drejtues të rrethit letrar. Këtu janë bërë diskutime për teza të ndryshme dhe janë paraqitur edhe shkrime me frymë jo të shëndoshë dhe në diskutimet rreth këtyre, nuk nisen nga pozita partie, por krejtësisht nga pozita sentimentale dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke marrë në mbrojtje edhe vepra dhe persona që janë kritikuar edhe në shtyp. Kështu p.sh. kur u botua në gazetën “Drita” kritika mbi “Gardën Krutane”, këta pasi kanë diskutuar, kanë përgatitur një letër proteste për shtypin, të cilën ju mor edhe mendimi i autorit, por ky u tha: ”Këtë letër të mos e nisni, pasi më dëmton mua shumë”. Po kështu kur doli artikulli që demaskonte kritikuesin e “Dasmës”, aty pati element që u shprehën kundër autorit të romanit në këtë mënyrë: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”.

MINSITRI I BRENDSHEM

KADRI HAZBIU

Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, Struktura, Dosja 88. Viti 1968

(Marrë nga libri, “Kadare i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë, 2015)