Reagon shpëtimtari i Selës: Më mbajtën 200 ditë në burg sepse quhem Feta, e jo Trajko ose Mile!

Pasi deputeti, ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Trajko Veljanovski i shpëtoi burgut, të shumta kanë qenë reagime në adresë të BDI-së, parti kjo që akuzohet se mundësoi shpëtimin e tij, pasi që kryeparlamentari Talat Xhaferi ndërpreu mbledhjen për marrjen e imunitetit të paraardhësit të vet.
Ka reaguar edhe Feta Alimi, heroi i 27 prillit, duke thënë se po të quhej Trajko, Mile ose Sasho, as ai nuk do të qëndronte 200 ditë në burg

“Ka kush rri ne burg-SHQIPTARËT! Vet paraqitem ne gjyq, siç e dini gjithë (vi nga Zvicrra) e me mbajn 200 dit ne paraburgim ne Shutke. Po une nuk e kam emrin TRAJKO-MILE- SASHO-MUKOVSKI-un quhem Feta Alimi. Eu eu mjerim për ne Shqiptaret. A ka kush qe ma shpjegon me ndryshe (nuk po shpjegoj rastin e asaj nate)”’ ka shkruar Halimi, menjëherë pasi ka përfunduar seanca parlamentare në të cilën nuk iu mor mandati Trajko Veljanovskit.

Gjatë dhunës së 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë Alimi ia shpëtoi jetën liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selës, porse megjithatë po gjykohet nga gjykata e Shkupit për pjesëmarrje në dhunën dhe një kohë të gjatë e ka kaluar në arrest.

Në anën tjetër, këto ditë Prokuroria ngriti akuzë për ish kryetarin e Kuvendit, Veljanovski duke e akuzuar, bashkë me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe dy ministra të asaj kohe si organizatorë të dhunës në Kuvend. Mirëpo, Kuvendi në mbledhjen e mbrëmshme, pas intervenimit të Xhaferit, nuk ia mori imunitetin, kështu që ai mbetet në liri.