“Reforma” thotë se bordi i UP-së është politik dhe nuk përfaqëson interesat e studentëve

Organizata studentore “Reforma”, ka mbajtur një aksion simbolik para objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës duke kritikuar kushtet me të cilat mësojnë studentët si dhe kundër bordit të këtij institucioni të cilin e kanë quajtur politik.

Para dyerve të Rektoratit janë vendosur pankarta me mbishkrime që tregojnë për shqetësimet e studentëve të UP-së. Përfaqësues të kësaj organizate studentore kanë thënë se bordi i UP-së është i përbërë nga njerëz politik të cilët nuk i kanë në interes shqetësimet e studentëve, raporton Koha Ditore.

Po ashtu, shqetësim kanë shprehur edhe për mos ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore dhe mos funksionimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë.

Edison Bibaj nga kjo organizatë ka thënë se bordi i UP-së po bie pre e interesave partiake gjatë marrjes së vendimeve duke i shkelur interesat e studentëve.

“Studentët nuk duan që edhe UP të bëhet sikurse Telekomi i Kosovës, ku të gjithë të punësuarit janë partiak e familjar. Ne i drejtohemi ministrit të Arsimit se ky bord nuk përfaqëson interesat e studentëve dhe është shndërruar në bord partiak”, ka thënë ai.

Bibaj ka kritikuar edhe pagat e larta të menaxhmentit të UP-së dhe stafit akademik duke thënë se ata shqetësohen vetën për pagat e tyre por jo edhe për bursat e studentëve.

Ai ka paralajmëruar protesta ditëve në vijim dhe bllokim të njësive akademike nëse nuk përmirësohen kushtet në UP dhe nuk depolitizohet bordi i këtij institucioni.