Reforma Zgjedhore, Basha: Zgjedhje të parakohshme parlamentare e vendore në një ditë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar ditën e sotme me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-ODIHR, me të cilin ka biseduar për Reformën Zgjedhore. Në përfundim të takimit, Lulzim Basha bëri me dije se opozita është e gatshme të japë kontributin e saj për Reformën Zgjedhore.

Por për këtë, Lulzim Basha kërkoi vullnet politik që kjo reformë të zbatohet, dhe sipas tij, kjo arrihet përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore, për të cilat kërkon që të mbahen në një ditë.

“Opozita është e vendosur të japë kontributin për një reformë të vërtetë zgjedhore. Për këtë nevojitet vullnet politik për të zbatuar reformën. Vullneti politik deri më sot mungon nga pala tjetër që është edhe pala e kapur. Zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet vendore.

Për në produkti duhet të jetë një reformë zgjedhore e vërtetë dhe vullneti për të zbatuar këtë reformë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore në një ditë. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me këtë Kryeministër e me këtë qeveri”, tha kryedemokrati Lulzim Basha në një prononcim për gazetarët.