Reka: Nuk bëjmë pazar me votat e shqiptarëve

y partitë opozitare shqiptare marrin të gjithë vëmendjen e opinionit, në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa që në rrethin e parë mbështetën kandidatin Blerim Reka, i cili mori rreth 80 mijë vota, së shpejti do të vendosin për hapin e ardhshëm, gjegjësisht se ku do ta drejtojnë elektoratin e tyre më 5 maj.

Gjatë ditës pritet takim mes dy liderëve, Sela dhe Kasami, bashkë me kandidatin që garoi në rrethin e parë, Blerim Reka, pikërisht për të marrë një vendim. Jozyrtarisht, dy liderët dhe Reka janë të ftuar në takim edhe nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev, për t’ju kërkuar mbështetje për kandidatin e shumicës Stevo Pendarovski. Përmes një qëndrimi në rrjetet sociale, Reka thotë se nuk do të ndikojë në vendimin e qytetarëve në zgjedhje por fton në dalje masive në votime.

Zyrtarisht, Aleanca për Shqiptarët gjatë pasdites do të mbledhë organet e partisë për të diskutuar hapin e ardhshëm. Vendimi eventual pritet të shqiptohet menjëherë pas mbledhjes. Lëvizja Besa tashmë publikisht pranon se ka vendosur që të ftojë qytetarët të votojnë sipas bindjes së tyre, për të cilën gjë thonë se kanë koordinim edhe me Aleancën për Shqiptarët.

Pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe pas diferencës shumë të vogël mes dy kandidatëve Pendarovskit dhe Siljanovskës, ata filluan garën se cili do të arrijë të përvetësojë votuesit e Rekës. Partitë të cilat qëndrojnë pas tyre nga të dyja blloqet, pretendojnë për ngjashmëri mes programit të kandidatit të tyre dhe të Rekës.

“Edhe gjatë fushatës së rrethit të parë, edhe komunikimet që ka pasur z. Reka, nuk kanë dallim nga koncepti i kandidatit Stevo Pendarovski, se në çfarë drejtimi duhet të lëvizë shteti, anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në BE.”- pohoi Edmond Ademi, LSDM, shkruan Alsat-M përcjellë Klan Kosova.

Pothuajse të gjitha partitë politike besojnë se në rrethin e dytë do të rritet dalja e qytetarëve në votime, me çka, arritja e censusit nuk do të jetë problem.