Rënia e Murit të Berlinit dhe ngjallja e shpresës për liri

Nata e 9 nëntorit të vitit 1989 ishte thuajse e çmendur në Berlin. Në të dyja pjesët e qytetit, që asokohe kishte rreth 3.5 milionë banorë, i madh e i vogël ishin ngritur në këmbë. Muri, që deri në atë kohë ishte ruajtur nga një armatë e tërë, tani nuk po e frenonte lëvizjen e lirë mes gjermanëve.

Dhe si pikënisje e gjithë këtij rrëmeti kishte shërbyer një pyetje e një gazetari. Zëdhënësi i Politbyrosë, Günter Schabowski, po matej të përfundonte konferencën për media kur korrespodenti italian i “ANSA”-s, Riccardo Ehrman, pyeti se kur do të hynte në fuqi ligji i ri që lejonte lëvizje të lirë drejt Gjermanisë Perëndimore. Schabowski iu përgjigj aty për aty: “Me aq sa e di, ai hyn në fuqi menjëherë, pa vonesë”. Kaq kishte mjaftuar që mijëra gjermanolindorë të mësynin drejt murit që kishte ndarë për 28 vjet Berlinin. Dhe më shumë se kaq

“Gjermanët janë sot kombi më i lumtur në botë”, nuk përmbahej kryebashkiaku i Berlinit Perëndimor, Walter Momper. Pak ditë më vonë, Gjermania Lindore shfuqizoi ligjin sipas të cilit territori afër kufirit me Gjermaninë Perëndimore konsiderohej zonë e ndaluar në thellësi prej disa qindra metrash.

“Ne duam të dalim jashtë”

Në të vërtetë, vetë historia e Murit të Berlinit kishte qenë një histori përpjekjesh për kalimin ose shembjen e tij. Në një hark kohor prej 28 vjetësh, mbi 100 mijë gjermanë kishin provuar ta kapërcenin e vetëm 5 mijë prej tyre ia kishin dalë mbanë. Rreth dyqind veta u bënë shoshë nga plumbat në përpjekjen e tyre për të dalë në anën tjetër. Por, vjeshta e vitit 1989 ishte më e ndezur se kurrë më parë në pjesën komuniste të Gjermanisë. “Wir wollen raus!” (Ne duam të dalim jashtë) ishte parulla e të rinjve gjermanë që po protestonin kudo.