Revista Zvicerane ‘shan’ shqiptarët, shkak Loredana dhe Mozzik

Revista “Weltwoche” e Zürichut në numrin më të ri ka botuar të enjten një tekst për  këngëtaren rep  Loredanen, e cila është me origjinë shqiptare. Pra, shqiptare zvicerane. Ajo është rritur në Zvicër, më saktë në Emmenbrücke afër Luzernit. Loredana përshkruhet si reperja më e suksesshme që këndon në gjermanisht. Me një milion ndjekës në mediat sociale.

Katër këngët e saj janë gjeneruar 76 milionë “streams”. Por, Loredana (Zefi) në këtë tekst shërben vetëm si kukull, të cilën autori e stolis me të gjitha paragjykimet, klishetë, stereotipat që qarkullojnë kundër shqiptarëve në ambientet e errëta të shoqërisë zvicerane.

Teksti i “Weltwoche”, mes tjerash, vlon nga fjalori vjellës, përbuzës, ksenofob. Ky fjalor kulmon në formulimin:’Shqiptarët në botën e jashtme nuk e kanë lehtë, sepse përherë maten me ata pjesëtarët e përhershëm të shtresës së ulët, që udhëtojnë me Mercedes të zi, kanë kafka të rrafështa në pjesën e pasme dhe thonë fjali, të cilat janë aq të thjeshta sa kokat e tyre tullace. Ata mendojnë se janë njerëzit më cool në botë, se vajzat i presin vetëm ata dhe se një thikë thotë më shumë se një mijë fjalë’ .

Teksti mbi reperen Loredana dhe partnerin e saj Gramoz Aliu, i cili është i njohur me emrin artistik Mozzik, është shembull i gazetarisë nëntokësore. Autori shkruan se kur Gramoz Aliu jetonte në Ferizaj, ai me gjasë shihte ëndrrën e zakonshme të burrave shqiptarë, ku një Mercedes me një nuse epshore në karrigen pranë shoferit ecën nëpër botën e të pasurve, ndërsa gepeku është plot me para. Aq i shkathtë është autori, saqë di t’i lexojë edhe ëndrrat e burrave shqiptarë. Ose së paku ëndrrat e Gramoz Aliut.

Në Ferizaj Gramozi mendoi se me muzikë mund të fitosh më shumë para se me drogë. Sepse ai, kjo është e qartë, që në moshën 15-vjeçare ka menduar të shesë drogë për t’iu afruar ëndrrave të tij. Nga teksti nuk është e qartë nëse gazetari ka folur me Gramoz Aliun dhe nëse ai vetë ka thënë se kur ka qenë më i ri ka ëndërruar të shesë drogë.

Shqiptarët heshtin! Ose kacafyten me njëri-tjetrin në Facebook! Ose mbajnë poza të krenarisë së rrejshme prej “intelektuali” e “poeti’ janë ndër të tjera fjalët që thuhen.