Rita Ora në heshtje nis misionin nëpër Kosovë

Rita Ora në heshtje ka nisur misionin e saj në Kosovë. Këngëtarja me nam botëror, që të hënën mbrëma ka arritur në Kosovë, gjatë ditës së martë ka vizituar disa vende në kuadër të misionit të saj me UNICEF-in. As Ora, por as UNICEF-i nuk kanë bërë publike asgjë nga vizita e saj. Ajo nëpërmjet një fotografie në “Instagram” ka treguar se këto ditë do të punojë me Degën e UNICEF-it në Britaninë e Madhe

“Jam e lumtur të punoj edhe më ngushtë me UNICEF-in në ditët në vazhdim, duke parë më shumë nga puna vitale që bëjnë ata dhe ndikimin që ka te fëmijët”, ka shkruar Ora pa treguar se ku ndodhet. Vizita nëpër Kosovë është bërë publike vetëm nga dy fotografi që i ka postuar në “Instagram” nëna e saj Vera Ora.

“Në mbështetje të UNICEF-it, Rita Ora në punën e tyre me dedikim për të ndihmuar fëmijët. E lumtur që Rita gjen kohë për ta vizituar Kosovën gjatë turneut të saj të ngjeshur”, ka shkruar Vera Ora në “Instagram”.

Në bazë të një fotografie tjetër që është publikuar po ashtu nga nëna e Orës, të martën vonë merret vesh se këngëtarja ka qëndruar për vizitë në fshatin e komunitetit rom Dubravë, nja tri kilometra larg Ferizajt. Në një restorant në dalje të këtij qyteti është parë duke drekuar. Në foto shihet me bluzën e zezë me logon e UNICEF-it. Krejt organizimi i ardhjes së Orës në Kosovë është mbajtur i fshehtë. Gazeta ka marrë vesh se organizata që është themeluar nga Kombet e Bashkuara më 1946 është duke përgatitur një dokumentar për vizitën e Orës në Kosovë dhe programin e tyre për të ndihmuar fëmijët në këtë pjesë të Evropës.