Roth: Askush nuk do të ketë dobi nëse sërish hapet çështja e emrit të Maqedonisë

Nuk është në dobi të askujt hapja e sërishme e kontestit tashmë të zgjidhur, diçka që do të kishte pasoja në raportet me partnerët evropianë, por edhe në zhvillimin social dhe ekonomik, thotë ministri shtetëror për Evropë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth në intervistë për gazetën greke “Etnos”, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ndonjë qeveri tjetër vjen në pushtet në të dyja vendet, nëse druan nga kthimi i mundshëm prapa lidhur me zgjidhjen e kontestit për emrin mes Athinës dhe Shkupit, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Nuk shoh arsye përse qeveritë e ardhshme sërish do të shqyrtonin një kontest që është zgjidhur. Diçka e tillë do t’i dëmtonte seriozisht marrëdhëniet me partnerët evropianë, me pasoja adekuate për zhvillimin social dhe ekonomik. Ky skenar nuk është në dobi të askujt. Vetëm mund t’u bëj thirrje të gjitha partive t’u përgjigjen rrethanave. Përndryshe, vlen parimi i vjetër i mirë fundamental i së drejtës ‘pacta sunt servanda””, thotë Roth.

Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, ministri gjerman thekson se kontesti për emrin gjatë kohë ishte lëndë e shfrytëzimit të brendshëm politik në barrë të qytetarëve të të dy vendeve.

“Marrëveshja e Prespës, përfundimisht e vendosë bazën për paqe, stabilitet dhe prosperitet, ndërkaq me këtë edhe për respekt dhe miqësi të ndërsjelltë, që do të duhej të nënkuptohej, për dy vende fqinje në Evropë. Tani, me rëndësi është që me durim të sqarohen faktet e marrëveshjes dhe të mbështetet përmbajtja e saj. Jam i sigurt se atëherë shumë dyshime do të mënjanohen”, sqaron Roth në intervistën për “Etnos”, transmeton MIA.

Ministri gjerman shprehë optimizëm se edhe këtë vit raporti për përparimin e Maqedonisë së Veriut nga Komisioni evropian do të sjellë rekomandim pozitiv, duke pasur parasysh atë se deri më tani, pengesë e madhe ishte çështja për emrin.

“Perspektiva evropiane për vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të mbetet e bindshme dhe e realizueshme. BE-ja dhe vendet e saja anëtare duhet të mbeten kredibile rreth kësaj çështjeje”, thekson ministri shtetëror për Evropë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë dhe shton se mu perspektiva evropiane e vendeve nga rajoni do të kontribuonte për stabilizim të mbarë Evropës dhe për një të ardhme më të mirë.

Për marrëdhëniet gjermano – ruse, thotë se Gjermania, BE-ja, por edhe vendet ballkanike synojnë drejt marrëdhënieve konstruktive me Rusinë, ndërsa në ato korniza është edhe tregtia. Shton se posaçërisht në sferën e energjisë, dinamika është e madhe, por kjo në asnjë rast nuk e përjashton dialogun kritik me Rusinë.

“Përkundrazi, marrëdhëniet e mira ekonomike janë bazë për dialog politik”, thekson Michael Roth.