Rusia e quan “shqetësuese” situatën në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se situata në Ballkan, veçanërisht në Kosovë “është shqetësuese” si dhe ka dënuar rolin “destabilizues” të BE-së dhe NATO, njofton agjencia BETA.

“Ne shohim sesi BE-ja dhe NATO-ja po rrisin përpjekjet që ta “gëlltisin” rajonin duke i vënë vendet para dilemës së rrejshme: ose me Moskën ose me Uashingtonin dhe Brukselin” ka thënë Lavrov.

Ai theksoi se vendi kryesor për destabilizim mbetet Kosova, pikërisht për shkak të përpjekjeve të autoriteteve të Prishtinës për të formuar ushtrinë, përcjell rel.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkaq plani nuk po gjen mbështetje te vendet tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, iu bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë, të mos vazhdojnë me këtë plan, pasi mund të përballen me pasoja.