Samsung dhe SK Telecom e aplikojnë teknologjinë 5G në garat automobilistike

Kompanitë Samsung Electronics dhe SK Telecom e kanë demonstruar me sukses aplikimin e teknologjisë 5G në garat automobilistike, gjë që i përmirëson më tej përvojën dhe përjetimin e shikimit të garave. Demonstrimi u zhvillua në pistën e garave në Korea International Circuit, me ndihmën e zgjidhjes Samsung Networks end-to-end 5G mmWave dhe stacioneve bazë 5G New Radio (NR), pajisjes që përdoret komercialisht në Shtetet e Bashkuara që nga gjysma e parë e vitit 2019.

Derisa automobili garues po lëvizte me shpejtësi prej 210 kilometrave në orë, pajisja tregoi performanca stabile të pajisjeve 5G në zonën e pistës gjatë pranimit, leximit dhe pranim-dorëzimit (handovers) live. Shpejtësia e shkarkimit arriti në 1Gbps, duke e demonstruar aftësinë për transmetime multi-gigabitëshe në pajisje 5G në automjetin garues dhe duke e përdorur frekuencën 200MHz, në spektrin 28GHz.

Shpejtësia e madhe e teknologjisë 5G, komunikimi i papenguar dhe pranimdorëzimi superior e mundësojnë një mënyrë më efikase dhe të sigurt të transmetimit të videos në automobil dhe nga automobili me shpejtësi midis 200 dhe 370 kilometra në orë, shkruan KOHA Ditore. Kjo teknologji, e quajtur T Live Caster 5G, përmes zgjidhjes live broadcasting të kompanisë SK Telecom u mundësoi kompanive që në kohë reale ta përdorin opsionin live video streaming për transmetim të garave nga këndvështrime të ndryshme.

Testimi ka treguar që teknologjia mmWave mund të realizojë potencialin e plotë të rrjetit 5G, për të kontribuar në gjetjen e përdorimeve inovative dhe modeleve të reja të biznesit, siç është përvoja e përmirësuar gjatë shikimit të garave. Për shembull, kamerat e integruara në kabinën e automobilit do të jenë në gjendje të transmetojnë të dhëna të videove në kohë reale nga secili automjet dhe atë përmes lidhjeve pa tel 5G. Kështu shikuesit do ta kenë një mundësi unike për t’i ndjekur skenat garuese drejtpërdrejt nga perspektiva e shoferit, dhe falë video streameve VR, AR dhe 360 shkallëshe, ta shijojnë një përvojë impresive, sikur të ishin vërtet në një automobil në lëvizje.

“Për teknologjinë 5G janë hapur mundësi të reja pasi që në gjysmën e parë të vitit 2019 në Kore dhe SHBA ka filluar përdorimi komercial. Samsungu, së bashku me operatorët globalë, është pionier në gjetjen e aplikimeve komerciale të teknologjisë 5G. Ky hulumtim është një shembull i shkëlqyeshëm i përmirësimit të përvojës së përdoruesit dhe ngritjes së industrisë së garave në një nivel më të lartë”, deklaroi Jaeho Jeon, zëvendëspresident ekzekutiv dhe udhëheqës i departamentit për hulumtim dhe zhvillim, Networks Business, Samsung Electronics.

“Shërbimi komercial 5G nënkupton shumë më tepër sesa shpejtësinë. Bëhet fjalë për një inovacion kyç për transformimin e hapësirës digjitale për të prezantuar modele të reja, të përmirësuara të biznesit, të cilat kanë ekzistuar vetëm në imagjinatën tonë deri më tani. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Samsungun në shtyrjen e kufijve të teknologjisë dhe aftësive të rrjetit 5G”, theksoi Park Jin-hyo, drejtor i departamentit ICT R&D Center të kompanicë SK Telecom.

Në shtator të vitit 2017, Samsungu në Kore e realizoi transmetimin e parë në botë në 5G midis automjeteve që lëviznin me një shpejtësi midis 190 dhe 205 kilometra në orë. Në bazë të këtyre arritjeve, së bashku me operatorët globalë Samsungu ka vazhduar t’i zhvillojë aftësitë e rrjetit përmes një serie gjithëpërfshirëse të testeve reale të ndihmuara nga teknologjia 5G, duke ndihmuar kështu në tejkalimin e kufijve të deritanishëm teknologjikë.