Samsung po shqyrton opsione të ndryshme të ekraneve fleksibile

Prodhuesit kanë zhvilluar teknologji të cilat e mundësojnë krijimin e ekraneve fleksibile të cilat mund të lakohen ose palosen, ndërsa për këtë lloj të ekranit po zhvillohen gjithnjë e më shumë aplikacione, raporton LetsGoDigital.

Departamenti i Samsungut për hulumtime dhe zhvillim aktualisht është duke investuar shumë përpjekje në këtë segment, për të zbuluar se cilat pajisje të reja mund të zhvillohen me implementimin e ekranit fleksibil. Gjiganti i Koresë së Jugut këtë herë e ka një patentë për ekranin drejtkëndësh, i cili lehtë mund të paloset dhe të bartet

Kur pajisja shpaloset, fitohet një ekran i madh, i zgjatur me madhësi të një tableti mesatar. Ekrani i ka tre pika të lakimit, kështu që kur lakohet fitohet sipërfaqe e ekranit në të katër anët. Në secilën pjesë të ekranit mund të shfaqen informata të ndryshme.

Falë dizajnit të tij kompakt, ekrani fleksibil është lehtësisht i bartshëm. Tasti për ndezje ndodhet në pjesën e përparme ndërsa implementohet edhe koneksioni USB.

Samsungut i është aprovuar kërkesa për dizajn të kësaj patente më 7 maj nga organizatat USPTO dhe WIPO.