Samsung pret livrimin e 60 milionë telefonave nga linja Galaxy S10

Edhe pse analizat e hershme sugjerojnë se tregu i telefonave do të vazhdojë të reduktohet për të paktën edhe një vit, Samsungu mund të kthehet në shtigjet e rritjes. Sipas burimeve nga zinxhiri i furnizimit, telefonat e sivjetëm premium të Samsungut sipas shitjeve do ta tejkalojnë linjën e vitit të kaluar S9 dhe do t’i arrijnë shitjet globale prej 60 milionë pajisjeve të livruara, raporton GSMArena.

Familja Samsung Galaxy S10 ka arritur rezultate të mira kur bëhet fjalë për para-shitjet në Kinë dhe SHBA. Raporti i Digitimes e parashikon një rritje në livrimet totale prej 10 deri në 15 për qind për linjën Galaxy S10 në krahasim me gjeneratën e mëparshme, gjë që do të duhej të arrijë në rreth 60 milionë modele të livruara gjatë vitit kalendarik.

Kombinimi i dizajnit të ri, kamerës së përmirësuar, variantit të ardhshëm 5G dhe përmirësimeve të tjera me siguri do të kontribuojnë në rritjen e shitjeve të telefonit të ri premium të Samsungut. Gjiganti koreano-jugor dëshiron ta mbajë pozicionin e vet prijës në tregun global të telefonave të mençur pavarësisht presionit të madh të kompanisë Huawei. Seria-A e telefonave me gamë të gjerë është një prej shembujve se si Samsungu planifikon ta mbulojë segmentin e ulët dhe të mesëm të tregut, veçanërisht në rajonet si Kina, të dominuara nga Xiaomi dhe Huawei, shkruan KOHA Ditore.

Teknologjia e ardhshme 5G është një tjetër fushë ku Samsungu kishte investime të konsiderueshme për të konkurruar me Huawei ndërsa modeli i ardhshëm Galaxy S10 5G do të duhej të jetë telefoni i parë në dispozicion në treg, me përkrahje për standardin më të ri.