fbpx

SBASHK’u kundërshton Ministrinë e Arsimit për pezullimin e mësimit

Ministria e Arsimit ka marrë vendim që procesi mësimor të ndërpritet deri të hënën, për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat pritet të bien deri në minus 16 gradë. Këtë vendim e ka kundërshtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Mësim nuk do të ketë deri të hënën. Këtë vendim e ka marrë Ministria e Arsimit, për shkak të temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në vend.

Por këtë vendim po e përqesh Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Sipas kryetarit të SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, moti nuk është aq i ftohtë sa për ta ndërprerë procesin mësimor.

Por, ulje të temperaturave parasheh edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Nata ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes pritet të jetë e ftohtë.

Temperaturat do të zbresin prej -14 deri -16 gradë, ndërsa gjatë ditës së enjte do të shënojnë vlerën prej -1 dhe 0 gradë celsius.

Nga e premtja e tutje vlerat sipas grafikut do të rriten deri në 3, 4 e 5 gradë dhe me datën 8 mars vlerat do të shënojnë 10 gradë celsius.

Sipas ministrisë, ditët e humbura të mësimit do të zëvendësohen gjatë këtij gjysmëvjetori në konsultim me Drejtoritë Komunale të Arsimit.