Sela: Duam që Maqedonia të hyjë në NATO, por të mos i bartë atje problemet e pazgjidhura

Interesimi i NATO-s që Maqedonia të bëhet anëtarja e Aleancës si një segment shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin rajonal, për stabilizimin e rajonit, është porosia e cila i është transmetuar liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selës në takimin e sotëm me shefin e Zyrës së NATO-s në Maqedoni Zoran Jankoviq.
Sela në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend theksoi se të dy kanë biseduar edhe për propozim amendamentet e tyre të cilat i kanë parashtruar lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria, të cilat, siç tha, konsideron se do të kontribuojnë edhe më shumë për stabilitetin e shtetit dhe të rajonit.

“Mendojmë se është shumë me rëndësi që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa me këtë të mos tërheqë me vete probleme të brendshme kur do të jetë në NATO. Në këtë kontekst janë edhe propozimet tona për qytetarët në Republikën e Maqedonisë të ndjehen të barabartë me të drejta të barabarta, e jo siç ka funksionuar gjatë 30 viteve të kaluara kur kemi pasur dy kategori të qytetarëve-qytetarëve dhe si qytetarë. Për fat të keq propozuesi, në rastin Qeveria, tenton në atë në fjalinë e parë në Preambulë të fillojë me qytetarë dhe popull maqedonas dhe të vazhdojë “si qytetarë dhe pjesë të popullit”. Askush nuk duhet të frikësohet nga barazia dhe nga drejtësia, ndërsa të gjithë ne duhet të frikësohemi nga kompromiset të cilat janë bërë me ligjin për amnisti dhe dhe kompromiseve të tjera të cilat i shohim përmes PSP-së”, tha Sela.

I pyetur nëse partia do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese nëse nuk pranohen propozimet e tyre, Sela tha se qëndrimin e partisë do ta bëjnë të ditur për disa ditë. Ai konfirmoi se sot do të ketë takim me kryeministrin Zoran Zaev në të cilin do të bisedojnë për kërkesat e tyre.

Tha se Aleanca për Shqiptarët ka parashtruar gjashtë amendamente dhe sipas tij me to nuk bëhet rishikim i Marrëveshjes së Ohrit, sepse siç tha në vetë Marrëveshjen e Ohrit është theksuar se kushtetutat duhet të përshtaten në nevojat e qytetarëve në një shoqëri.

Ai i hodhi poshtë akuzat e zëvendëskryeministrit Bujar Osmani se ata së bashku e Besën janë pengues të procesit të ndryshimeve kushtetuese.

“Të vërtetat të cilat e problematizuan dhe në një mënyrë udhëhoqën këtë proces që të zvarritet është pikërisht zotëriu të cilin e përmendët, i cili ishte ministër edhe në Qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski. Nuk ka nevojë ai të drejtojë gishtin ndaj askujt sepse opinioni e di cili është ai personalisht dhe opsionin politik të cilin ai e paraqet”, tha Sela