Sela: Xhaferi është aktor i mirë dhe kryetar i padenjë i Kuvendit

Ziadin Sela tha se Qeveria është e padenjë për të funksionuar si e tillë pasi që e ka humbur besimin.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, nëpërmjet një konferencë për shtyp në lidhje me mosvotimin e heqjes së imuniteti të ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, tha se kryeparlamentari Talat Xhaferi është aktor i mirë dhe nuk është i denjë për të qenë kryetar i Kuvendit

“Fatkeqësisht mbrëmë u pa se Talat Xhaferi është i padenjë për të qenë kryetari i parë shqiptar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. I padenjë ishte gjithë ai teatër i cili iu ofrua shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, mbrëmë dhe një natë përpara me Komisionin. E gjithë BDI-ja siç duket është e kapur nga ana e regjimit të kaluar, luajnë role të tilla që patëm rastin që t’i shohim edhe mbrëmë”, tha Sela, duke shtuar se ngjarja e mbrëmshme ishte skenar i organizuar.

Ai gjithashtu tha se edhe Qeveria është e padenjë për të funksionuar si e tillë pasi që e ka humbur besimin.

“Qeveria nuk ka kredibilitet pasi që e ka humbur besimin themelor për kthimin shtetit ligjor. Ne kërkojmë që të mbahen zgjedhjet të jashtëzakonshme parlamentare pasi që vetëm populli mund ta kthejë shtetin ligjor”, shtoi Sela.