SHBA-ja mund ta përfundojë deri në fundvit protokolin për Maqedoninë e Veriut në NATO

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u takua me Chris Soha, udhëheqës i Shërbimit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin e SHBA-së, me të cilin ka biseduar për raportet ndërshtetërore, partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Kryetari Xhaferi dha një pasqyrë të shkurtër të gjendjes aktuale në shtet, me theks në procesin reformues.

“Ai drejtoi falënderim të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për aspiratat tona për integrim të tërësishëm në institucionet euroatlantike dhe angazhimin për sundimin e të drejtës, me shpresë se bashkëpunimi i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhme”, thuhet në një njoftim për media, përcjell Alsat.

Ndërsa, përfaqësuesi nga Senati, Soha drejtoi urime për hapat e guximshme politike dhe shprehu shpresë se, edhe pse procedura e ratifikimit të protokolleve aderues me Traktatin e Atlantikut Verior në Senatin amerikan është zakonisht një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, në rastin e Maqedonisë, për shkak të mbështetjes prej një numri të madh të senatorëve, ky proces mund të përfundojë deri në fund të vitit.