SHBA-ja ndihmon Kosovën edhe me 500 mijë dollarë në betejën ndaj koronavirusit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë edhe 500 mijë dollarë të tjerë për Kosovën në betejën me koronavirusin. Ndihma e re vjen pas 1.1 milionë dollarëve të ndarë në fund të muajit mars.

“Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar një pako globale ndihmëse të re të Departamentit të Shtetit dhe USAID-it për t’u përballur me koronavirusin. Për Kosovën kjo pako shton edhe 500 mijë dollarë për ato 1.1 milionët e zotuar nga SHBA-ja për të përkrahur Kosovën përballë koronavirusit”, ka thënë në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Ndërkohë përmes një njoftimi për media, USAID-Kosova ka thënë se që nga rasti i parë i infeksionit me COVID-19, që u konfirmua më 13 mars, ndihma është përqendruar në bashkëpunimin me punëtorët e vijës së parë të betejës me koronavirusin për të ngadalësuar përhapje, në sigurimin e kujdesit për të prekurit si dhe pajisjet e nevojshme për të luftuar koronavirusin.

“Për shembull, ne kemi shpërndarë 239 pako higjienike nëpër qendrat shëndetësore, 8950 pako familjare dhe 1200 pako për fëmijë në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar, prandaj kjo ndihmë shtesë nga populli amerikan do të vazhdojë të sigurojë mbështetje operacionale dhe të rrisë aftësinë e reagimit të duhur nga ana e Kosovës në ndalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të saj”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, gjatë 20 vjetëve të fundit, shuma e gjithmbarshme që SHBA-ja ka investuar në Kosovë tejkalon shifrën e 772 milionë dollarëve.