Shefi i Komisionit për Demarkacion aderon në Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur sot përmes një shkrimi në Facebook se Shpejtim Bulliqi është anëtari më i ri i subjektit të cilin Kurti e drejton.

Bulliqi ishte kundërshtues i madh i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ku ai thoshte se Kosova do të humbiste 8 mijë hektarë tokë.

Tani ai Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror që pritet së shpejti të negociojë me një ekip nga Mali i Zi për të caktuar saktë kufirin pasi që marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Postimi i plot:

Shpejtimi i Lëvizjes

Me Avni Deharin dhe Gani Krasniqin, me Martin Berishajn e Glauk Konjufcën, me Hysamedin Ferajn dhe Elvis Hoxhën, me Liburn Aliun dhe Enver Dugollin, ia uruam mirëseardhjen në VETËVENDOSJE! Prof.Shpejtim Bulliqit. Ishim në Tuz të Malit të Zi, në Logun e Tërgajës te lumi Cem, ku po mbahej festivali tradicional me pjesëmarrjen e mijëra malësorëve vendas e mërgimtarë. Një natë më herët ishim te Prof. Martin Berishaj në darkën e Zojes së Grudës.

Shpejtim Bulliqi është Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, profesor në FShMN të UP, Departamenti i Gjeografisë, si dhe ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e pestë. Shpejtim Bulliqi së bashku me profesorët Zejnullah Gruda e Florim Isufi ishin në krye të argumentimit shkencor për kundërshtimin e demarkacionit Thaçi-Meha që Republikës sonë ia cënoi territorin. Me Prof. Bulliqin në VETËVENDOSJE! dhe me Lëvizjen në qeverisjen e ardhshme, kufijtë e shtetit tonë do të jenë të paprekshëm.