“Shërohen” 150 policët e “sëmurë”, heqin dorë nga pensioni i invalidit të luftës

Zyrtarët policorë që për afro 12 vjet kanë marrë pensione nga buxheti i shtetit, me arsyetimin se janë të sëmurë mentalë, ka tre muaj që “vullnetarisht” kanë hequr dorë nga ky përfitim financiar.

Në pjesë e madhe e këtyre policëve, siç është informuar gazeta, mbajnë pozita të larta në institucionin kryesor ku kryhen hetimet, përfshirë edhe ato për mashtrim

Këta zyrtarë policorë dyshohet se kanë mashtruar shtetin duke u prezantuar si persona me paaftësi psikike si pasojë e luftës, me qëllim që të sigurojnë pensionin invalidor. Numri i tyre është rreth 100. Janë edhe 50 zyrtarë të tjerë policorë që përfitojnë pensione të invaliditetit fizik.

Një hetim i nisur për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare ka bërë që këta zyrtarë policorë të deklarohen të rikuperuar nga dëmet fizike e psikike që ua ka sjellë lufta dhe se të njëjtët refuzojnë që t’i marrin këto pensione. Këtë e ka konfirmuar për gazetën Policia e Kosovës.