“Shfaqja që shkon keq” në Gjilan e kthen dështimin në komedi

Aktorët “e harruan” tekstin gjatë lojës së tyre në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Tek përpiqeshin të gjenin fjalë, u humbnin gjësendet me të cilat do të duhej të ilustronin lojën e tyre. Të kota ishin pëshpëritjet në mes tyre si një lloj thirrjeje për koordinim në skenë. Ato i dëgjonte edhe publiku, i cili kishte mbushur ulëset e teatrit të mërkurën mbrëma. Hutia dhe paniku që kaploi kastën e aktorëve gjilanas u duartrokit nga publiku që e kuptoi lehtas mesazhin.

“Shfaqja që shkon keq” me tekst të Henry Shield, Jonathan Sayer dhe Henry Lewis, nën regji të Ilir Bokshit, ka qenë përzgjedhje e mirë për t’u inskenuar në skenën e institucionit teatror, i cili së fundmi po bën hapa të shpejtë për ta rikthyer publikun. Edhe kjo premierë e dëshmoi se ai nuk i mungon kur ka ofertë. Teatri Profesionist i Gjilanit për vite të tëra qe lënë pas dore. Vetëm procesi i zgjedhjes së drejtorit ka zgjatur nja tre vjet, derisa mori epilog në maj të këtij viti. Prej atëherë ka konkretizuar nismat për repertor të shfaqjes e “Shfaqja që shkon keq” tash është pjesë e tij. Regjisori ka bashkuar në skenë disa nga aktorët më të njohur të këtij qyteti, si Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Safete Mustafa-Bafitu, Gani Rrahmani, Avni Shkodra dhe Tringa Hasani.

Kjo komedi shpalos rrëfimin e të bëmat e një trupe amatorësh të cilët bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të realizuar shfaqjen siç duhet. Një vrasje misterioze është interpretuar në mënyrë komike nga aktorët të cilët kanë shpalosur jetën e një njeriu i cili natën e fejesës gjendet pa shenja jete. Dhe rasti i vrasjes duhet të zbulohet deri në fund pa asnjë kusht. Siç edhe përshkruhet, dyshime dhe mbi të gjitha dështime janë ato që e përcjellin publikun gjatë gjithë kohës