Shkencëtarët vendosin për vendin e kërkimit të jetës jashtëtokësore në Mars

Misioni i dërgimit të një roboti në Mars për të kërkuar shenja të jetës jashtëtokësore, tashmë ka filluar së zbatuari, duke e vendosur vendin se ku do të lëshohet, kur të arrijë në planetin e largët. Këtij vendimi i ka paraprirë një diskutim që ka zgjatur disa vjet. Arritja e robotit në Mars pritet të realizohet në vitin 2021. Ky robot do të gropojë në sipërfaqen e Marsit për të kërkuar shenja të jetës, të cilat mund të jenë të mbuluara nga një shtresë e hollë e materialit.
Ekipi i këtij projekti, që është një bashkëpunim mes Evropës dhe Rusisë, ka vendosur që roboti të vendoset në një pikë të quajtur “Oxia Planum”, e cila mendohet se ka qenë vendqëndrim i një mase të madhe uji para miliarda viteve. Ekspertët kanë qenë në mëdyshje për ta zgjedhur këtë lokacion apo një lokacion tjetër, të quajtur “Mawrth Vallis”, i cili gjithashtu i kishte disa shenja të ekzistimit të ujit në të kaluarën.

Anëtari i ekipit të shkencëtarëve, prof.John Dridges, tha se ky vend është përzgjedhur pas katër viteve të diskutimeve të kujdesshme. Arsyeja kryesore për përzgjedhjen e këtij lokacioni është sipërfaqja e përshtatshme për kryerje të shpimeve nga roboti. “Me një zonë tërheqëse, sedimentet mund të përmbajnë materiale organike nga mjedise të ndryshme për një kohë të gjatë, përfshirë mjediset ku ka mundur të ekzistojë jeta”, tha ai.

Qëllimi i këtij misioni është që të gropohet sipërfaqja e Marsit në një thellësi prej dy metrash dhe kërkimi i gjurmëve të mundshme të jetës, e cila besohet se mund të ketë ekzistuar para katër miliardë vitesh, kur planeti kishte ujë. Siç dihet, uji është element thelbësor i jetës, ndërsa vendi i quajtur “Oxia Planum” shtrihet në një zonë ku vërehen shumë kanale të thara. Përndryshe, shtresat e mineraleve të pasura me argjilë janë një tjetër shenjë që e mbështet dyshimin për ekzistim të një liqeni të madh para shumë vitesh, shkruan “Independent”.