Shkencëtarët zbulojnë vaksinën që do të shërojë artritin

Artriti është sëmundje degjenerative e nyjeve e cila, manifestohet me dhimbje, deformim dhe paaftësi fizike për të kryer aktivitete të përditshme, dhe deri tani pacientët të cilët vuajnë nga kjo sëmundje kanë llogaritur vetëm në barna që lehtësojnë dhimbjet.

Hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit kane zhvilluar një vaksinë që bllokon nervin NGF- i cili shkakton këto dhimbje, që konsiderohen nga ana e pacientëve si të papërballueshme.

Vaksina bën që sistemi imun i organizmit të punojë kundër shfaqjes së efektit të këtij nervi.

Deri tani përafërsisht 9 milion njerëz në Britaninë e Madhe dhe SHBA vuajnë nga artriti, dhe ende nuk ka një kurë për të.

Profesoresha Tonia Vincent, njëkohësisht autore e këtij studimi të publikuar në kronikën për Sëmundje Reumatike, tha se kjo vaksinë fillimisht u aplikua në minj, dhe rezultoi e suksesshme duke stimuluar sistemin imun të tyre për të rritur numrin e antitrupave që do të sulmojnë nervin NGF.

Pas aplikimit të kësaj vaksine, shkencëtarët vërejtën që minjtë në vend që të qëndronin në një këmbë, për shkak së këmba tjetër kishte dhimbje të shkaktuara nga artriti, ata qëndruan në të dy anët duke e balancuar trupin. Gjithashtu, në minjtë në të cilët ishte aplikuar vaksina u vërejt një rritje e antitrupave që u konsideruan si ‘ përgjigje analgjetike’ e trupit të tyre ndaj dhimbjes.

Sipas një studimi, ditët e humbura të punës nga personat të cilët kanë këtë sëmundje, do të rriten në 28.9 milion deri në vitin 2030, duke shkaktuar dëm ekonomik deri në 3.43 bilion.

Duke iu referuar një studimi të bërë, së paku 50% e personave mbi moshën 65 vjeçare shfaqën simptoma të artritit, dhe më pak se 25% prej tyre marrin një terapi adekuate për të lehtësuar dhimbjen kronike që kjo sëmundje shkakton.

Ekipi studiues nga Universiteti i Oksfordit beson që kjo vaksinë është zgjidhja e duhur për të trajtuar rastet e prekura nga kjo sëmundje, pasi që shumica e barnave të cilat përdoren sot kanë efekte anësore shumë të dëmshme.

“Ka ende disa probleme të cilat duhet të studiohen më detajisht, përpara se kjo vaksinë të aplikohet tek pacientët”, tha Dr. Stephen Simpson, një ndër pjesëmarrësit e këtij studimi.