Shqipëria kualifikohet në finale të Eurovizionit

Shqipëria është kualifikuar në finale të Eurovizionit me këngën “Ktheju tokës” nga Jonida Maliqi. Maliqi e cila performoi sonte në natën e dytë të gjysmë finales u kualifikua e treta me rend për në finalen e madhe.

Këngëtarja Jonida Maliqi ka përfaqësuar denjësisht shtetin shqiptar me interpretimin e këngës “Ktheju Tokës”, të cilën e këndoi në gjuhën amtare.

Pas përfundimit të performancave nga 18 shtetet, është hapur televotimi i cili zgjati për 15 minuta nga juria dhe publiku.

Kalkulimi i rezultatit në fund nxori listën me 10 shtetet që siguruan biletën për në natën finale që do të mbahet të shtunën në Tel Aviv, dhe një nga ato ishte edhe Shqipëria.

“Kënga “Ktheju Tokës” është një këngë, e cila përfaqëson më së miri shqiptarët jashtë trevave shqiptare, ata që ndodhen kudo nëpër botë. Kështu që është mënyra më e mirë që ata të na votojnë, të na mbështesin duke votuar këngën shqipe, vendin tonë dhe pse jo artin shqiptar”, ka thënë artistja Maliqi.

Edhe vitin e kaluar, shteti shqiptar preku finalen me këngëtarin Eugent Bushpepa, i cili me këngën “Mall”, u rendit i 11-ti në këtë kompeticion, që vitin e kaluar u mbajt në Lisbonë.