Shqipëria, pas shkollave mbyll edhe baret si masë mbrojtëse nga koronavirusi

Pak orë pasi në Shqipëri u konfirmua vdekja e parë si pasojë e koronavirusit, Qeveria ka ashpërsuar masat mbrojtëse.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar sot se të gjitha lokalet, baret e restorantet në Tiranë e Durrës, do të mbyllen deri në një njoftim të dytë.

Sipas saj, bizneset që nuk respektojnë këtë vendim, do të gjobiten me 20 milionë lekë të vjetra (mbi 16 mijë euro).

“Ju bëj me dije se i kam propozuar Këshillit të Ministrave përshkallëzimin e masave: Mbylljen e të gjitha bareve dhe klubeve në Tiranë dhe Durrës, gjobë 5 mijë euro për qytetarët që vijën nga zonat e prekura dhe nuk respektojnë urdhrin për vetëkarantim edhe për ata që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, 20 mln lekë të vjetra për baret restorante apo klubet që nuk zbatojnë vendimin për t’u mbyllur deri në një vendim të dytë, vendosjen e distancës 1.5 metër mes punonjësve te bizneset, reduktimin në maksimum të personelit të CallCenterave, komunikimet do të jenë në mënyrë virtuale me median“, tha Manastirliu.

Qeveria shqiptare të hënën vendosi që të ndalë procesin mësimor për dy javë, si masë mbrojtëse nga koronavirusi.

Më këtë virus, që ka shkaktuar panik në gjithë botën, në Shqipëri deri më tash janë infektuar 12 persona, ndërsa një ka vdekur.

Në gjithë botën janë infektuar mbi 120 mijë persona, ndërsa si pasojë e tij kanë vdekur mbi 4.300 persona.