Shtatë muaj deri në parashkrimin e lëndës ndaj 27 aktivistëve të LVV-së

Shtatë muaj kanë mbetur para parashkrimit të procesit gjyqësor ndaj 27 aktivistëve dhe ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për djegien e veturave të EULEX-it në vitin 2009

Gjykimi ndaj tyre ka filluar para katër vjetësh, por brenda kësaj periudhe janë zhvilluar vetëm dy seanca gjyqësore. Për tre vjet nuk është caktuar më asnjë seancë e re.

Gjasat për një verdikt final janë minimale. Së pari, për shkak se, sipas zyrtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ende nuk kanë arritur ti sigurojnë nga Policia e Kosovës as adresat e të akuzuarve, në mënyrë që tua dërgojnë ftesat për seancë.

Po ashtu, është ndërruar trupi gjykues, që nënkupton se i tërë procesi është kthyer në pikën “zero”. Ndërkaq për ti ikur parashkrimit, lënda duhet ti kalojë tri shkallët e gjykatave.