Si ishin dhe si i pash demonstratat e 1, 2 dhe 3 prillit 1981!

Shkruan: Daut Xhemajli

Nga 26 marsi deri më 1 prill, shqiptarët të irituar me dhunën policore kundër studentëve shqiptarë brenda qendrës së studentëve, po përgatiteshin për përgjigjen historike popullore, sunduesve të Kosovës dhe klasës politike të Kosovës.

Ky shpërthim i madh vullkanit nga populli erdhi pikërisht në mesditën e 1 prillit.
Unë isha duke u kthyer nga Fakulteti rreth orës 11,30 dhe duke u ngjitur në shkallët e para të menzës së studentëve, aty shoku Shaban Kastrati duke shkuar nga qyteti më tha: “sot po kërset demonstrata”.
Fillova të ngutem, në shitoren afër konviktit e mora një “ gullash” dhe në në dhomën e konviktit n.101, e vendosa mbi resho të nxehet për të hangër një “kashore buk”, hapa dritaren nga shihej oborri i Qendrës dhe menza e studentëve, me sy e vesh nga dritarja.
Pa ia nisur bukës, në dhomë erdhi një oshtimë, dikush lajmëroi se “ kërsiti demostrata”, unë pa një pa dy jam nisur drejtë qytetit nëpër oborret e konvikteve, ku studentët po vërshonin drejtë qytetit, ishte diku rreth orës 12.00.
Policia kishte reaguar menjëhere dhe kordone policore kishte vendosur duke bllokuar rrugën ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe FakultetitTeknik ( tash Akademia dhe Ministria Arsimit), prandaj aty filloi grumbullimi i protestuesve, numëri i protestuesve rritej me të shpejtë, nuk vonoi shumë dhe u mbush rruga deri tek menza e studentëve. Protestuesve aty, iu bashkua edhe klasa punëtore (thuhej “punëtorët e Ramiz Sadikut”), që ishte një motivim i madh për studentët dhe protestuesit tjerë.
Rruga dhe trotuaret ishin të ngushta për të zënë numërin e madh të protestuesve që rritej shpejtë, atyre iu bashkuan edhe qytetaria e Prishtinës e cila ishte irituar nga dhuna policore e 26 marsit dhe hapur kishte dalur në mbrojtje të kërkesave studentore të cilat konsideroheshin edhe vullnet i tyre politik për statusin e Kosovës të barabartë me Republikat tjera në Jugosllavi.
Rreth nja 2 orë protestuesit qëndruan ballë për ballë me kordonet policore që kishin bllokuar daljen në pjesën qëndrore të qytetit, bashkimi i klasës punëtore dhe qytetarëve tjerë me protestuesit pritej me duartrokitje dhe entuziazëm të theksuar, prandaj diku rreth orës 14.00 protestuesit kishin vendosur që të depërtonin në qendër të Prishtinës, isha në mes të protestuesve diku nja 10m larg kordonit policor, kur u dëgjua thirrja e protestuesve përparaaaaaaa !

Përnjëhere si një lumë i tërbuar protestuesit u hodhën përpara, policët me shkopinjë gome dhe gjithçka që kishin sulmuan protestuesit e rreshtit të parë, nja 4-5 m protestuesit u kthyen prapa, sërish me thirrje përpara, masa së protestuesve u hodh në sulm dhe më nuk kishte forcë policore që mund të ndalte këtë fuqi shpërthyese.
Policët e kordonit humbën para këtij vullkani protestues që pushtoi qendrën e qytetit.
Qyteti u vërshua nga protestuesit e shumtë, policët humbën në këtë masë dhe nuk shiheshin thuaja askund, lumi i tërbuar i protestuesve u derdhë drejtë sheshit të qytetit (tani sheshi”Nënë Tereza”) dhe u ndalën para Komitetit Krahinor( tash “ Ministria e Kulturës”).
Qendra e Prishtinës ishte përplotë, mund të them që këtë natë u “pushtua” Prishtina nga protestuesit energjik e të padhunëshëm në asnjë rast dhe pa asnjë dëm material, përveç thyerjes së disa panove reklamuese të filmave pornografik, që ato ditë si me porosi kishin vërshuar kinemat e filmave në Kosovë e sidomos në Prishtinë, që nga studentët dhe rinia përparimtare konsiderohej përpjekje e qëllimshme e pushtetarëve për degjenerimin e rinisë dhe devijimin e rinisë së pastër shqiptare, prandaj këto pano u thyen nga studentët protetestues. Ky ishte i vetmi “ dëm material” nga protestuesit.
Nuk ishte e rastit që protestuesit ishin grumbulluar para Komitetit Krahinor, sepse aty po bëheshin politikat dhe aty zihej fati i kërkesave të studentëve dhe aty po përgaditej edhe konfrontimi i madh i klasës politike vazale dhe zbatuese qorre e politikave Jugo-serbe në Kosovë me popullin shqiptar, ata(klasa politike) po dilnin kundër kërkesave të drejta të popullit shqiptar të shprehura në demonstrata.
Demonstruesve të grumbulluar aty filluan tu drejtohen me megafon, ku ishte shfrytëzuar një dru për tu dëgjuar më mirë, unë isha përballë këtij druri në anën tjetër të rrugës duke dëgjuar fjalën e tyre, në një moment i pakënaqur me ato të thuheshin nga aty dhe duke menduar se unë do t’i them më mire, jam afruar dhe kam tentuar të ngjitem por nuk ishte lehtë pa të mbajtur dikush, dhe duhej pritur edhe të zbriste dikush sepse në dru ishin 4-5 veta, në këto momente ka ardhur një grup i protestuesve që dukeshin të organizuar, të cilët duke hapur rrugën kanë thënë : “ lironi rrugën për këtë punëtorin e Ramiz Sadikut se ka me fol”.

Përnjëherë kemi hapur rrugën dhe e kemi ndihmuar “punëtorin” të ngjitet në dru ku kishte edhe 2-3 veta të tjerë. Fjalimi që ka mbajtur ky punëtor, ka qenë shumë domethënës dhe emocionues për demostruesit dhe është komentuar kudo në mesin e studentëve demonstrues edhe më vonë, sidomos na emocionuan fjalët që paraqitnin kërkesat e popullit për barazi, për status të barabartë me Republikat tjera dhe kundër shtypjes e kundër shfrytëzimit të pasurive të Kosovës, të thëna nga një “përfaqësues i klasës punëtore” siq thuhej atëhere (Unë në burg e mësova që “punëtori” kishte qenë Hydajet Hyseni, 1982).
Në ato momente, kur dëgjohej me vëmendje fjala e “ punëtorit”, kisha përshtypjen se demonstruesit aty para Komitetit, ishin duke pritur që dikush nga strukturat shoqëroro-politike të dilte para demonstruesve dhe do t’u përgjigjej kërkesave të tyre. Por klasa politike bashkë me Policët dhe njësitë e tyre të specializuara ishin përgaditur për përgjigjen të dhunëshme politike, kjo përgjigje, tani më ishte zier në kuzhinat serbe dhe ajo së pari do të shpërndahej përmes dhunës policore e tek ma vonë përmes strukturave shoqëroro-politike vazale të tyre e të mjerueshme të instaluara në Kosovë.
Më në fund u hapën dyert e Komitetit, por nga aty nuk dolën strukturat shoqëroro-politike , por nga aty shpërtheu edhe njëherë dhuna policore kundër demonstruesve, nga Komiteti në vend të përgjigjes politike doli fytyra e vërtetë e zbatuesve të politikës serbe në Kosovë, pra nga Komiteti i politikës, dolën Njësitë speciale serbe të cilat u hodhën pa asnjë paralajmërim mbi demonstruesit me gaz lotësjellës, shufra gome dhe të armatosur deri në dhëmb për shpërndarjen e demonstruesve.
Aty filloi jo vetëm shpërndarja e demonstruesve, por edhe ndjekja e tyre nëpër rrugët e Prishtinës, tani më çdo rrugë u shëndrrua në fushëbetejë në mes të protestuesve dhe njësive speciale policore, kështu vazhdoi deri në mëngjezin e 2 prillit.

Mund të thuhet me siguri, se këtë natë Prishtina nuk bëri gjumë fare,rrallë kush fjeti. Ndërsa kur unë u ktheva në dhomën e konviktit, ajo ishte mbushur me tym, më shkoi mendja te gazi lotsjellës, por shpejt kuptova se “reshoja“ ishte ende e ndezur që e kisha harruar kur dola me vrap, mbi te“gullashi“ im shkrumb e hi, për fat dërrasave të rafteve në dhomë vetëm flaka sa nuk iu kishte dalur, dyshemeja po ashtu.
Demonstruesit u shpërndanë tani në grupe më të vogla dhe u barikaduan në vende dhe pozita të përshtatshme për vazhdim të protestës, kështu vazhdoi tërë natën, prandaj në mëngjezin e hershëm numëri i demonstruesve ishte edhe më i madh, por tani ata ishin shpërndarë në grupe në secilën rrugë dhe rrugicë të Prishtinës. Njësitë speciale serbe kishin pushtuar qendrën e qytetit, ishin barrikaduar në secilin udhëkryq dhe nuk lejonin grumbullime të mëdha, tani më betejat e demonstruesve ishin kudo, duke iu kundërvënë sulmeve të njësive speciale policore serbe.
Tani më 2 prill, Prishtina ishte shëndrruar në shumë fushëbeteja të luftës, ku zhvilloheshin beteja në mes të demonstruesve dhe njësive speciale serbe.
Kundër demonstruesve hudhej gaz lotësjellës nga largësia, gazin shumë here ua kthenin policëve, disa demonstrues i lënduan duart duke e kthyer gazin i cili mund t`u shpërthente në duar, kundër demonstruesve që u ofroheshin barrikadave, herë pas here kishte të shtëna nga llojet e ndryshme të armëve të zjarrit nga njësitet policore serbe. Unë nuk mbajë mend të kem fjetur këtë natë, vetëm se kujtohem që në mëngjez nga konvikti nr.3, ku banoja iu kam bashkuar demonstratës para Sallës së sporteve( tash Salla “1 tetori”). Aty ishim të grumbulluar disa qindra demonstrues, ku vazhdimishtë konfrontoheshim me Policë të shumtë të cilët ishin barrikaduar tek semaforët para menzës së studentëve, aty disa herë bëmë përpjekje për të thyer këtë barrikadë, por barrikada nuk mund të thyhej, sepse sa i ofroheshim asaj nga policët e barrikaduar gjuhej gazi lotsjellës, por gjuhej edhe me armë zjarri.

Krismat e armëve të zjarrit ishin të shpeshta nga të gjitha betejat në qytetin e Prishtinës, i cili këtë 2 prill ishte shndërruar në arenë luftimesh në mes të demonstruesve duarthatë dhe njësive speciale policore serbe të armatosur deri në dhëmbë.
Gjatë tërë ditës rafallet e automatikëve nuk pushonin asnjëhere në pika të ndyshme , pas këtyre të shtënave dëgjoheshin sirenat e trishta të automjeteve të ndihmës së shpejtë që bartnin të vrarët dhe të plagosurit, të cilët barteshin deri në qendrën spitalore.
Ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm, i pa parë ndonjëherë i personelit mjekësor të klinikave të spitalit të Prishtinës, ku trajtoheshin të plagosurit dhe shpëtoheshin jetët e tyre, bile, bile uroheshin demonstruesit për plagët e tyre.
Demontruesit ishin të entuziazmuar dhe secili ishte i gatshëm të vdiste në fushën e betejës pa asnjë hezitim, kishte rënje të tilla heroike të demonstruesvenë këto fushëbeteja, unë në këtë pikë qëndrova tërë ditën.
Më 2 prill, nuk ishte më demonstratë, ishte luftë e vërtetë, ishte kryengritje popullore shqiptare, vetëm se me njërën palë të armatosur deri në dhëmb, që ishin policë serb të ardhur nga Serbia, që kishin marr përsipër edhe udhëheqjen e kësaj lufte kundër shqiptarëve. Faktikisht komandën de jure mbi Kosovën këto njësi Jogo-serbe e kishin marr qysh më 26 mars, që me dhunën e ushtruar kundër studentëve shqiptar e kishin filluar hapur luftën kundër shqiptarëve në përgjithësi.
Gjatë tërë ditës në këtë pikë, ne demonstuesit jemi ballafaquar me njësitë policore të barrikaduara tek semaforët para menzës së studentëve dhe gjatë tërë kohës kemi qenë ballë për ballë me ta në distancë prej 100 deri 300m’. Këtë ditë, diku kah mesdita policët kanë gjuajtur me armë zjarri në demonstrues, shumë afër meje më pak se një metër është plagosur një demonstrues në këmbën e majtë në pjesën e sipërme, këtë demonstrues të plagosur menjëhere e kemi përcjellur në spital që ishte shumë afër kësaj pike. Nga këto të shtëna është qëlluar edhe në xhamat e Sallës 1 tetori, ku deri vonë pas luftës së fundit shihej vrima e plumbit lartë në xhama.

Demonstrata ka vazhduar, pas pak në të njejtin vend ku përsëri kemi qenë të kthyer nga policët e barrikaduar poshtë tek menza e studentëve, ka patur të shtëna nga armët automatike të zjarrit dhe saktësishtë mbaj mend që një plumb nga këto të shtëna ka kaluar shumë afër meje dhe ka goditur në gjoks në pjesën e sipërme të shpatullës së majtë një demonstrues, të cilin e kam kapur dhe ndihmuar për ta hipur në automjetin e ndihmës së shpejtë, i cili për pak minuta me siguri ka mbrri në Spitalin aty afër. Pas plagosjes së këtyre dy demonstruesve , në mesin e demonstruesve filloi të flitej se nga shtëpia aty afër (e një serbi të quajtur Delibashiq) është gjuajtur mbi demonstrues dhe se dikush e paska pa! Demonstruesit e frustruar nga këto dy plagosje dhe duke menduar që nga kjo shtëpi është gjuajtur mbi ta, me koktej mollotovi e kanë gjuajtur dhe djegur pjesërishtë këtë shtëpi.
Në këtë pikë gjatë tërë ditës është protestuar, prandaj sipas meje është e pa logjikshme që një serb i vetëm i pa mbrojtur, të ketë qëndruar aty dhe të ketë gjuajtur me armë në demonstrues, bile edhe ikja e tij eventuale ka qenë e pamundur fare, pra kurrfarë mundësie që ta mbrojë policia nuk ka patur aty. Prandaj konsideroj se aty nuk ka patur njeri që të vret demonstruesit dhe nuk është gjuajtur nga krahu i djadhtë i yni (shtëpia), sepse vet i kam pa të dy të plagosurit dhe këtë situatë e kam të memorizuar shumë saktë!
Pra, gjuajtja ka ardhur saktësisht nga policët e barrikaduar përballë demonstruesve dhe konsideroj se edhe në rrethana të tilla dikush duke njohur pronarin ka manipuluar me demonstruesit në këtë rast, apo mund të ishte edhe një hamendësim koti!
Demonstrata në këtë pikë ka vazhduar tërë ditën, në orët e pasditës filluan të dëgjoheshin lëvizjet e tankseve nëpër rrugët e Prishtinës, tashmë Ushtria Jugosllave ishte në rrugët e Prishtinës, duke “ndihmuar” njësitë speciale serbe, sepse ato nuk mund dhe nuk guxonin të lëviznin nga pozicionet e tyre.

Diku pas orës 20.00, unë së bashku me vëllezërit Haxhim e Zaim Hajrizi dhe disa të tjerë kemi shkuar në banesën e tyre në bregun e diellit ku mësuam nga radio, se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ushtarake. Aty kemi bërë natën, të lodhur e të rraskapitur nga protestat e dy ditëve. Të nesërmen në atmosferën e gjendjes së luftës pas betejave të përfunduara, me shqehtësim të madh se si do të vazhdojmë të sillemi me gjendjen e jashtëzakonshme, ku nuk lejohej shoqërimi me mbi dy persona , jam nisur i vetëm nga bregu i diellit për te konvikti nr.3, për të shikuar gjendjen e dhomës, aty kam marr diçka nga teshat dhe jam nisur me autobusë nga Prishtina për Ferizaj. Në Ferizaj kam arritur diku rreth orës 13,00 dhe me atobusin e pare përplotë jam nisur për Viti.
Në Ferizaj hetohej numër i madh i qytetarëve dhe ndjehej era e një shpërthimi nga qytetarët të irituar me gjendjen në Kosovë dhe të ngarkuar me lajmet nga Prishtina. Jam nisur për Viti dhe pas nja 30 minutash në Ferizaj kishte shpërthyer demonstrata, ndërsa kur arrita në Viti, ndjehej se diçka kishte ndodhur edhe aty, kuptova se kishte patur demonstratë, u nisa drejt fshatit tim Beguncë në këmbë i lehtësuar që edhe Vitia qenka solidarizuar me qytetet tjera të Kosovës, më dukej se isha krenar për këtë gjë!
Gjendja e jashtëzakonshme vazhdonte, tani më strukturat shoqëroro-politike kishin filluar procesin e identifikimit dhe gjykimit të demonstratave, me këtë edhe ishin rreshtuar kundër kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës. Politikanët e Kosovës në vend të mirëkuptimit dhe dëgjimit të zërit të popullit, në vend të shfrytëzimit të këtyre pakënaqësive të shprehura në rrugë dhe në vend se në organet e tyre të shtronin këto kërkesa për zgjidhje, ata me vazalitetin Jugosllav iu nënshtruan presionit të politikës Jugo- serbe, vazhduan vazalitetin e tyre dhe dolën kundër këtyre kërkesave për barazi dhe trajtim të barabartë në Jugosllavi. Kështu doli në skenë klasa e re politike me vazlitet edhe më të theksuar Jugosllav dhe me servilitet të madh ndaj Serbisë, kjo klasë servile bënte gara për lojalitet ndaj Serbisë, duke arsyetuar masat e marra për gjendjen ekzistuese dhe duke ndjekur, identifikuar, diferencuar dhe arrestuar demonstuesit dhe po përgatiteshin për dënimin e “merituar” të demonstruesve, duke krijuar kështu terren të përshtatshëm për politikat serbo-sllave kundër shqiptarëve.
Demonstruesit u quajtën kundërrevolucionar, nacionalist e irredentist, prishës të vëllazërim – bashkimit dhe rrënues të themeleve të Jugosllavisë së Titos e çka jo tjetër. Shtypi dhe televizioni u vunë në shërbim të kësaj politike Serbo-sllave dhe eksponentët shqiptar qirreshin në to për dënimin dhe demaskimin e kundërrrevulucionarëve. Kjo klasë politike kërkonin dhe bënin presion për diferencim ndaj këtyre kundërrevolucionarve dhe familjeve të tyre, mbillnin terror mediatik për çdo ditë kundër të gjithë atyre që guxonin të mos ishin me ta në frontin e tyre të vëllazrim-bashkimit.

E vetmja përkrahje, ashtu si edhe pritej erdhi nga Shqipëria amë, e cila erdhi në momentin shumë të rëndësishëm dhe tregoi që shqiptarët nën Jugosllavi nuk ishin vetëm dhe kjo mjaftonte për demonstruesit shqiptar që të vazhdonin me kërkesat e tyre të drejta për liri dhe barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe për të drejtën për vetëvendosje të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Zjarri i luftës për liri ishte ndezur, e ky zjarr më nuk mund të shuhej as me tankset serbe dhe as me krejt arsenalin ushtarak Jugo-serb drejtuar kundër shqiptarëve. Lufta vazhdon…!

Autori është ish pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 dhe ish i burgosur politik!