Si të mbani raport të mirë me punëdhënësin

Marrëdhëniet e mira, produktive, ku nuk mungon respekti janë çelësi i suksesit për një kompani. Këtu përfshihet raporti që keni me punëdhënësin tuaj.

Përderisa prioriteti kryesor i një punëdhënësi është të ketë punonjës të zellshëm që përmbushin vizionin e tij për kompaninë, përveç kësaj një punëdhënës do të donte të kishte më shumë se sa vetëm marrëdhënie profesionale me njerëzit me të cilët punon.

Në fund të fundit, punëdhënësi një pjesë të madhe të kohës e kalon me stafin, si rrjedhojë një raport i ftohtë dhe jo miqësor nuk do të kishte aspak kuptim për të dyja palët dhe do të ndikonte në performancën e kompanisë, përcjell ksp.

Punëdhënësi luan një rol kryesor në ngritjen tuaj në karrierë, kështu që sa më shumë që ai njeh personalitetin tuaj, punën tuaj dhe etikën tuaj të punës, aq më të mëdha janë gjasat që të shpërbleheni.

Një marrëdhënie e shëndoshë dhe respektuese në raport me të, përmirëson moralin dhe produktivitetin tuaj, respektivisht raporti i tillë ndikon pozitivisht në karrierën tuaj.

Nëse keni interes për një marrëdhënie sa më të mirë me punëdhënësin tuaj, Akademi Pune ju ofron disa sugjerime për krijimin e një raporti sa më të mirë:

Merrni iniciativë të caktoni mbledhje mujore

Është e rëndësishme që punonjësit të ndërmarrin iniciativën për të mbajtur takime individuale me punëdhënësin e tyre gjatë muajit. Kjo ndihmon që të vlerësohet gjendja aktuale në kompani, të vihen në pah rezultatet e arritura si dhe prioritetet për të ardhmen.

Gjithashtu, gjatë mbledhjeve diskutoni gjendjen e projekteve aktuale, paraqitni idetë që keni për të ardhmen dhe kuptoni nëse jeni në të njëjtin mendim me punëdhënësin tuaj dhe qëllimet që ka.

Shfaqni vlerat tuaja

Është me rëndësi ta kujtoni se jeni punësuar sepse posedoni aftësi të veçanta të cilat i vlerëson kompania. Si person i tillë, ju shpesh mund të ofroni perspektiva të ndryshme nga punëdhënësi juaj. Një punëdhënës i mirë nuk do të dëshironte që punonjësit të pajtohen gjithmonë me të, por gjithashtu të flasin për nevojat, realitetin dhe sfidat nëpër të cilat po kalon kompania e që duhet të adresohen, kësisoj ju shfaqni vendosmërinë që keni në atë që besoni.

Përpiquni të keni komunikim sa më të hapur

Sa herë i keni thënë punëdhënësit tuaj se një nga idetë e tij ose të saj nuk është aq e shkëlqyeshme? Ndoshta është bisedë e frikshme për çdo punonjës, por është e rëndësishme komunikimi i lirshëm pasi një punëdhënës mendje hapur do ta vlerësonte iniciativën tuaj për ide të reja inovative.

Ofroni ndihmë

Shprehni gatishmëri për të ndihmuar në ndonjë projekt edhe nëse nuk kërkohet një gjë e tillë nga ju. Shumë punëdhënës janë të ngarkuar gjatë gjithë kohës dhe shpesh nuk flasin nëse kanë nevojë për ndihmë. Prandaj, gjatë bisedës tuaj pyetni ata nëse kanë nevojë për ndihmë në ndonjë projekt të caktuar.