Si zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian

Të enjten filluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ndërsa i tërë procesi do të përfundojë të dielën. Këto zgjedhje priten me kërshëri të madhe në tërë kontinentin pasi shumë njerëz besojnë se rezultati i tyre do ta përcaktojë të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe raportet e tij me pjesën tjetër të botës. Më poshtë po i përshkruajmë disa elemente të rëndësishme për këtë institucion të lartë.

Parlamenti Evropian vlerësohet si institucioni i vetëm në botë që tejkalon kufijtë kombëtarë përmes legjitimimit në mënyrë demokratike. Me fjalë të tjera, ai është kuvendi i vetëm që përbëhet nga shtete të ndryshme, ku banorët mund të votojnë për përfaqësuesit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky institucion dallohet edhe për numrin e madh të votuesve. Më shumë se 370 milionë njerëz kanë të drejtë vote, duke i bërë këto zgjedhje të dytat në botë, pas atyre të Indisë.

Deputetët e Parlamentit Evropian dërgohen aty si përfaqësues të 28 shteteve anëtare të BE-së. Secili shtet vendos për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve në territorin e tyre. Mosha minimale e votuesve është mosha 18 vjeçare, përpos Austrisë, e cila e lejon votimin nga mosha 16 vjeçare.

Numri i ulëseve për secilin shtet përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë. Gjermania, shteti me numrin më të madh të banorëve në Bashkimin Evropian, i ka 96 ulëse, ndërsa shtetet e vogla, si Qiproja, Malta dhe Luksemburgu, kanë nga gjashtë ulëse.

Anëtarët e këtij kuvendi zgjedhen për një mandate pesëvjeçar dhe kanë të drejtë të votojnë për çështjet financiare, përfaqësimin ndërkombëtar dhe politikat e përgjithshme të bllokut. Në Parlamentin Evropian ekzistojnë tetë grupe politike, ndërsa për formimin e një grupi të tillë nevojiten të paktën 25 deputetë nga së paku shtatë shtete.

Grupet më të mëdha politike janë Grupi i Partive Popullore Evropiane dhe Grupi i Socialdemokratëve. Të dyja këto grupe pritet t’i humbin disa ulëse në këto zgjedhje sepse votuesit kanë shfaqur prirje për qëndrime me ekstreme të së majtës dhe të djathtës, shkruan “The Washington Post”