Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit do të hyjë në grevë më 19-21 gusht

Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit përmes një komunikate për media bën të ditur se do të hyjë në grevë një orëshe më 19 gusht, derisa më 20 gusht greva do të jetë dy orë, kurse më 21 do të kenë grevë gjithëditore.

Deri te ky vendim Sindikata thotë se ka ardhur pas dështimit për të gjetur një zgjidhje me menaxhmentin e Aeroportit.

“Pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të shumta drejtuar menaxhmentit të Aeroportit për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur çështjet tona në mënyrë paqësore deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë ftesë apo gatishmëri nga ana e menaxhmentit për të dialoguar. Ne kemi shterruar të gjitha mënyrat dhe mundësitë paqësore për dialog”, thuhet në komunikatë.

Tutje Sindikata shton se punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur përmes delegatëve të tyre të shkojnë në grevë, siç kishin paralajmëruar në protestën paqësore të mbajtur më 8 gusht.

“Me datën 19.08.2019 do të kemi grevë një orëshe duke filluar prej orës 08:00-09:00 sipas kohës lokale. Me datë 20.08.2019 greva do të jetë dy orëshe duke filluar nga ora 08:00 -10:00, derisa me datën 21 do të mbajmë grevë gjithëditore”, thuhet në komunikatë.

Konfirmohet se në këtë grevë do të marrin pjesë të gjithë punëtorët e shërbimeve që nuk janë të rëndësisë jetike.

“Ftojmë menaxhmentin që të koordinohet me Sindikatën për të caktuar minimumin e shërbimeve në mënyrë që të garantohet siguria dhe të evitohet çfarëdo rrezikimi i jetës dhe sigurisë. Greva do të ndërpritet nëse vjen deri te ndonjë rast emergjent i paparashikueshëm. Poashtu, ftojmë menaxhmentin që të hapë dyert për dialog me Sindikatën në mënyrë që greva të ndalohe”, thotë Sindikata.

Sindikata me këtë rast u kërkon falje bashkëatdhetarëve për këto zhvillime.

“Ne e dimë se tani është një fluks i madh i bashkëatdhetarëve tanë që fluturojnë përmes aeroportit Adem Jashari, të cilëve ju kërkojmë falje për këto zhvillime, të cilat po ndodhin jo me fajin tonë”, thuhet në komunikatë.