Sindikata e RTK’së reagon ndaj tenderit të fituar nga Teuta Krasniqi

Pas raportimeve të fundit për tenderët prej qindra mijëra eurove të fituar nga njerëz të afërt me politikën në Televizionin Publik, ka reaguar sindikata e RTK’së
Sipas sindikatës, është e pakuptimtë që të paguhen aq shumë për produksione të jashtme, derisa RTK’ja ka rreth një mijë të punësuar.

Ndërkaq dje u raportua se një serial i prodhuar nga produksioni i aktores Teuta Krasniqi, e cila është motra e shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi.

Shkrimi i plotë:

Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër kontratave të reja me kosto të lartë financiare, të lidhura nga menaxhmenti i RTK-së me producentë të pavarur .

SPRTK në vazhdimësi ka alarmuar rreth blerjeve pa kontrollë dhe pa mbulesë financiare të cilat po e dëmtojnë RTK në shkallë të pariparueshme. Madje si Sindikatë kemi kërkuar që në kuadër të ligjit të ri kjo praktikë e dëmshme për RTK-në të ndalohet.

Me këto veprime drejtuesit e RTK-së po shpërfaqin hipokrizinë e tyre, duke u ankuar në njërën anë për mungesë të financave si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së financimit, e në anën tjetër çdo ditë e më shumë hynë në obligime të reja financiare.

RTK nuk mbrohet me retorikë boshe siç po e bëjnë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por me veprime konkrete që avancojnë statusin e Transmetuesit Publik. Përmes përfshirjes së familjarëve të tyre në projekte audiovizive të financuara nga buxheti i RTK-së, vendimarrës nga politika po e rrezikojnë seriozisht funksionalitetin e RTK-së.

Është e pakupitmtë që RTK të realizojë kaq shumë blerje të produkteve të jashtme televizive, derisa ka rreth 1 mijë të punësuar. Politikat programore të RTK-së do të duhej të orientohen kah personeli i brendshëm i RTK-së i cili ka përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin e duhur për të prodhuar vetë. Të punësuarit e RTK-së në vend se të përkrahen e të motivohen në punën e tyrë, përkundrazi ndaj tyre po ushtrohet presion si në aspektin e termineve, kohezgjatjes së emisionit, duke i sjellur kështu ata në situatë diskriminuese në raport me emisionet e blera. Po ashtu, presion ndaj të punësuarve po ushtrohet me qëllim të detyrimit të tyrë për të nënshkruar kontratatat e blerjeve në cilësinë e autoritetit kontraktues.

SPRTK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së, që të distancohen nga këto sjellje ndaj të punësuarve dhe të lihen të lirë ata në ushtrimin e profesionit të tyre konform obligimeve kontraktuale.

Të gjitha këto padrejtësi Sindikata do t’i adresojë në organet përkatësë.

Transmetuesit Publik përfshirë RTK-në nuk kanë mundësi financiare por as obligim ligjor që çdo ditë të transmetojnë programe argëtuese të formateve shumë të kushtueshme për buxhetin e tyre.

Të bashkangjitur gjeni disa nga kontratat të lidhura muajve të fundit:

Serial vendor “ISTAR” nga Teuta production 216 mije euro (11.02.2019)

Serial vendor “Gjyshet Milionere” 75 mije euro (18.01.2019)

“Rrenjet Tona” 60 mijë euro

“Jeta ne Kosove” 112 mijë euro

Po ashtu ne proces të tenderimit është shfrytezim i automjeteve me qira në vlerë prej 540 mije euro.