Sistemi operativ i Huawei mund të paraqitet në vjeshtë

Huawei është në rrugë të mbarë që të publikojë sistemin e vet operativ qysh gjatë gushtit, sipas informatave më të reja. Raporti i Global Times konfirmon që Huawei do të publikojë HongMeng OS në Kinë, ndërsa versioni global i këtij softueri do të ketë emërtimit Oak OS, përcjell GSMArena.

Richard Yu, CEO për afarizëm konsumues në kompaninë Huawei, thuhet që ka konfirmuar se sistemin i ri operativ i kompanisë do të jetë i gatshëm për vjeshtë.

Paraprakisht Huawei kishte dorëzuar kërkesën për trademark tek EUIP (European Union Intellectual Property Office), për HUAWEI ARK OS, HUAWEI ARK, ARK dhe ARK OS, shkruan KOHA Ditore.

Ndërkohë është deklaruar edhe Google që thuhet se ka informuar qeverinë e SHBA për rreziqet potenciale të sigurisë që mund të lindin nëse pajisjet e Huawei do të shfrytëzojnë një sistem operativ tjetër. Si më i madhi mes tyre përmendet rreziku i sigurisë, pasi që pajisjet e Huawei nuk do të mund të marrin azhurnimet e sigurisë direkt nga Google.