Sivjet s’ka rishikim të buxhetit – në MF thonë se gjithçka është në përputhje me “objektivat zhvillimore”

Qeveria Haradinaj duket se nuk e ka ndërmend që ta bëjë rishikimin e buxhetit as për këtë vit. Në Ministrinë e Financave kanë thënë se bazuar në afatet kohore një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Thonë se gjithçka është në përputhje me “objektivat zhvillimore”.

Zëdhënësi për media në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini ka thënë se bazuar në afatet kohore nuk do të ketë Rishikim të Buxhetit.

Shahini ka thënë se buxheti për këtë vit është në harmoni me prioritetet dhe objektivat zhvillimore.

“Duke u bazuar në afatet kohore Rishikim të Buxhetit nuk do të ketë, por njëherit vlen të theksohet se Rishikimi i Buxhetin nuk është obligim ligjor. Buxheti për vitin 2019 është përgatitur në përputhje me planin e Qeverisë dhe në harmoni me prioritetet dhe objektivat zhvillimore duke u bazuar në dokumentet strategjike”, ka thënë ai.

E për shpenzimet shtesë, Shahini thotë se Ministri i Financave ka të drejtë ligjore që të marrë veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve.

“Sa i përket të hyrave e përgjithshme ato janë duke performuar mirë. Ndërsa sa i përket shpenzimeve shtesë sipas vendimeve të ndryshme apo edhe të cilat vijnë si kërkesa shtesë nga organizatat buxhetore atëherë sipas Ligjit të buxhetit për vitin 2019, Neni15, në tremujorin e fundit Ministri i Financave ka të drejtën ligjore për të marr veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve, nëse kërkesat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjet e Shahinit.

Ndryshe, rishikimi i buxhetit nuk ishte bërë as gjatë vitit të kaluar.

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës kishin thënë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë meqenëse “buxheti është planifikuar mirë, sa nuk ka nevojë për rishikim”.

“Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor. Buxheti është përgatitur në përputhje me planin dhe në harmoni me vizionin qeverisës. Prioritetet dhe objektivat zhvillimore janë orientuar bazuar ne dokumentet strategjike”, kishin thënë nga MF’ja.