Skandaloze: Mjekët zviceranë u kërkojnë pacientëve me Covid që t’i lënë amanetet sa më herët

Mjekët zviceranë u kanë bërë thirrje pacientëve më të rrezikuar nga koronavirusi që t’i shkruajnë testamentet paraprakisht për ta lehtësuar presionin në repartet e kujdesit intensiv. Ky veprim i tyre është kritikuar nga një grup për mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve.

Organizata “Pro Senectute Schëeiz”, e cila merret me të drejat e të moshuarve, tha se thirrja e mjekëve ishte e papjekur dhe e tepruar, por mjekët këmbëngulin që testamentet e pacientëve janë të nevojshme në realitet gjatë përkujdesjes për pacientët në gjendje kritike.

Duke paralajmëruar se Zvicra po mbetet me pak shtretër në repartet e kujdesit intensiv, Shoqata Zvicerane për Mjekësi Instensive u bëri thirrje këtë javë atyre që janë veçanërisht të rrezikuar nga pandemia, përfshirë personat mbi moshën 60-vjeçare, personat me probleme në zemër dhe me diabet, që dëshirat e tyre t’i vendosin në letër në rast se ndodh më e keqja.

“Kjo do t’i mbështesë të afërmit tuaj, por edhe ekipet e njësive të kujdesit intensiv, kur ata të marrin vendime në mënyrë që trajtimi të bëhet në mënyrën më të mirë sipas dëshirave individuale të pacientëve”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Zvicerane për Mjekësi Intensive.

Megjithatë, organizata që merret me të drejtat e personave të moshuar tha se thirrja e mjekëve, ndonëse në kohëra normale do të ishte këshillë e kuptueshme, tani e krijon përshtypjen e një urgjence të panevojshme për një vendim që kërkon vlerësim të thellë, shkruan Reuters

Kryetari i Shoqatës Zvicerane për Mjekësi Intensive, Thierry Fumeaux, që punon si mjet në repartin e kujdesit intensiv në qytetin perëndimor, Nyon, tha se kjo shoqatë nuk ka për qëllim që ta vë ndokë nën presion apo që t’i lirojë shtretërit, por vetëm t’i nxisë pacientët e rrezikur të mendojnë paraprakisht. “Kjo nuk është thirrje për sakrificë. Është vetëm thirrje për të marrë përgjegjësi për autonominë e tyre”, tha ai.

Ndryshe, shifra e të infektuarve në Zvicër ka “shpërthyer” gjatë valës së dytë të përhapjes, duke u rritur nga 100.000, sa ishte disa javë më parë, në mbi 290.000 të premten, kur për 24 orë u regjistruan rreth 5.000 raste të reja. Deri më tani, nga sëmundja COVID-19 në Zvicër kanë vdekur gjithsej 3.575 persona.